Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mister çfarë tha dëshmitarja e parë

Në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, këtë të martë filloi paraqitja e dëshmitarëve të prokurorisë në procesin gjyqësor kundër ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me fotografi dhe zë të shtrembëruar, dëshmitarja e parë e prokurorisë kërkoi që për shkaqe sigurie seanca të jetë e mbyllur. Kjo është një nga rreth 300 dëshmitarët që Prokuroria e Posaçme pritet të paraqesë brenda dy viteve të ardhshme, në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të katër akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Prokuroria e Posaçme në Hagë thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe kanë ndodhur në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.

Sipas prokurorisë krimet dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk ishin të përfshirë në luftime. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh shumica janë shqiptarë, por ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik që dolën javën e kaluar para trupit gjykues në Hagë, thanë se ndjehen të pafajshëm për dhjetë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjyqi ndaj katër të akuzuarve është rasti i profilit më të lartë në këtë gjykatë.

Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Ndërsa me nga katër vjet e tre muaj ka dënuar ish drejtuesit e organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie, Pjetër Shala.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat. /VOA/

SHKARKO APP