Greqi – Rrjedhja e naftës rrezikon plazhet e Athinës (Video)
Autoritetet greke po punojnë për të evituar pasojat e një rrjedhje nafte që ka mbërritur në brigjet e plazheve më të preferuar të Athinës.
Rrjedhja u krijua gradualisht që nga e diela kur në afërsi të ishullit Salamina, pranë kryeqytetit, u mbyt një anije çisternë.
Autoritetet u përpoqën të izolonin rrjedhjen e naftës, por kushtet atmosferike i shtynë njollat e zeza në drejtim të Glyfadas, një nga zonat më turistike dhe më të shtrenjta të Athinës.
Të premten, me probleme ishin edhe plazhe të tjerë në bregdetin jugor të Athinës, ku era e ka shtyrë mazutin drejt brigjeve ranore.
Ministri i Marinës Tregtare tha se po punohet për pastrimin e brigjeve dhe plazheve dhe se parashikohej që punimet të marrin fund brenda 20 ditësh. Ndërsa ministri i Shëndetësisë tha se brenda të premtes do të dalë një urdhër për ndalimin e larjes dhe peshkimit në zonat e ndotura.
Opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Marinës, që e akuzon për neglizhenca të pafalshme në funksionimin e anijeve çisternë.
Organizatat mjedisore kanë shprehur shqetësimin për mënyrën e reagimit të autoriteteve.
Fondi Botëror për Natyrën (WWF), deklaroi se Greqia, si vend me trafik të jashtëzakonshëm detar, duhet të ketë një gjendje më të mirë gatishmërie për të përballuar situata të tilla si kjo e mbytjes së anijes çisternë.
Anija çisternë Agia Zoni u mbyt mëngjesin e të dilës ndërsa po lundronte në afërsi të Salamines. Çisterna ishte e ngarkuar me 2500 tonë naftë. Ende nuk janë bërë të qarta shkaqet e mbytjes. Por nga Regjistri Kombëtar i Anijeve u bë e ditur se çisterna Agia Zoni nuk ishte çertifikuar si e gatshme për lundrim.