Greqi, vdes në aksident shqiptari, 3 të plagosur në një aksident tjetër

Një 46 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident rrugor që ka ndodhur të dielën pasdite në Greqi.

Mediat greke shkruajnë se ngjarja tragjike ndodhi në kilometrin e 50-t të autostradës Lamia-Larisa.

Makina me të cilën udhëtonte shqiptari ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një fushë për shkaqe të panjohura deri më tani.

Burri është dërguar me urgjencë në qendrën shëndetësore Sofadon ku pak më vonë ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra. Policia po heton për të sqaruar rastin.

Ndërkohë, tre persona kanë mbetur të plagosur sot në një tjetër aksident rrugor në rrugën provinciale Filotas-Ptolemais.

Sipas tv grek, “ERT” një kamion u përplas me një makinë me pesë persona që shkonin nga Shqipëria. Tre nga pesë pasagjerët u plagosën në aksident dhe u transportuan nga ambulanca në spitalin Bodossakio në Ptolemaida.

Në gjendje më të rëndë është një 23 vjeçar, i cili u transportua për në spital në Selanik.

Departamenti i Policisë Amynteo po kryen një hetim paraprak të shkaqeve të aksidentit.

SHKARKO APP