Greqia, frikë nga “Shqipëria e Madhe”
Zhvillimet e fundit në rajon, situata në Maqedoni dhe deklaratat mbi bashkimin e mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, kanë rizgjuar në Athinë frikën nga makthi i “Shqipërisë së madh”.
Një nga gazetat kryesore greke, “Idisis”, i ka kushtuar ballinën e të shtunës kësaj teme, nën titullin “Shqetësim i madh nga Shqipëria e Madhe”.
Sipas gazetës greke, është çështje kohe shpërthimi i konfliktit ndëretnik në Maqedoni, çka në mënyrë të pashmangshme do të shpjerë në ndarjen e vendit.
Ky zhvillim, sipas analistëve grekë, shënon hapin e parë që të bëhet realitet “ëndrra e ithtarëve të ‘Shqipërisë së Madhe’ në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Ankara.
E përditshmja athinase citon burime diplomatike greke, por edhe europiane, sipas të cilave, krahas inicimit të Shqipërisë së Madhe, do të fillojnë përpjekjet edhe për “Bullgarinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”.
Athina nuk dëshiron as Serbinë e Madhe, as Bullgarinë e Madhe, por sidomos nuk dëshiron në lufijtë e saj veriorë një Shqipëri të Madhe, e cila do të bëjë aleancë me Turqinë dhe do të jetë një kërcënim konstant për Greqinë, nënvizon gazeta greke.
Më tej gazeta vë në dukje se Athina insiston në mosndryshimin e kufijve, duke cituar edhe një deklaratë të ditëve të fundit, të ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias.
“Kërkohet respekt i madh ndaj kufijve. Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të stabilitetit të rajonit tonë”, deklaroi Kotzias, në një deklaratë që media greke e interpretoi si një mesazh për fuqitë e mëdha dhe ato forca në rajon që synojnë zhvillime të kundërta.
Sipas shtypit grek, zhvillimet e fundit në rajon dhe shqetësimet e Athinës janë diskutuar edhe në një takim midis kryeministrit Tsipras dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Aleksis Tsipras në ditët e ardhshme do të marrë inciativa për stabilitetin në rajon, inciativa që kanë edhe pajtimin e Berlinit, nënvizojnë mediat greke./ora news