Hahn-Zaev: Maqedonia e meritoi rekomandimin e pakushtëzuar
Komisioneri për zgjerim në BE, Johannes Hahn, deklaroi se Maqedonia dhe qytetarët e saj e kanë merituar rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me BE.
Teksa i dorëzoi raportin për progresin e Maqedonisë, kryeministrit Zoran Zaev, Hahn tha:
“Anëtaret e BE-së e njohën punën e realizuar. Këtu jam që t’i paralajmëroj lajmet e mira të shumëpritura, për ta shënuar suksesin pas angazhimeve të gjata për tejkalimin e krizës.Vendi kaloi nëpër një rrugë të gjatë edhe krahas sfidave të shumta dhe tani ndodhet fuqishëm në rrugën evropiane. Ka ndryshim pozitiv, është ripërtërirë ndjenja e transparencës, energjisë dhe shpresës. Ndjehen vibrimet e mira në vend dhe kjo duhet të shpërblehet”, tha Hahn.
Zyrtari i BE-së theksoi se Maqedonia është shembull për ndryshime demokratike në rajon dhe se është i impresionuar nga ajo që është realizuar lidhur me prioritetet reformuese urgjente.
“Sinqerisht u uroj Juve, Qeverisë, Parlamentit dhe opozitës për mbështetjen e këtij qëllimi kombëtar”, tha Han në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin.
Ai porositi se reformat nuk duhet të ndalen këtu, por të vazhdojnë, veçanërisht në gjyqësor.
Kryeministri Zaev tha se marrja e rekomandimit të pastër është një motiv i fortë për arritjen e objektivit të vështirë, por të arritshëm – fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“Do të punojmë edhe më energjikisht që në qershor të marrim datën për negociatat. Vazhdojmë me reformat thelbësore edhe pas Planin 3-6-9 do të konfirmojmë një plan të ri të reformave”, theksoi Zaev.
Ai i falënderoi vendet e BE-së që e përkrahën Maqedoninë si dhe qytetarët e Maqedonisë dhe OJQ sektorin dhe të gjithë faktorët e tjerë për përpjekjet e përbashkëta.
“KE-ja e ka vlerësuar atë që është punuar. Në dy raportet e kaluara për shkak të krizës politike dhe shtetit të robëruar, rekomandimet ishin suspenduar dhe shteti ishte kushtëzuar me reforma dhe ambient demokratik. Sivjet rekomandimi i pastër është i pakushtëzuar Maqedonia e përmbushi kriterin bazë demokratik për fillimin e negociatave”, tha Zaev.
Kryeministri maqedonas theksoi se integrimi në BE do të nënkuptojë një klimë më të mirë biznesi, paga më të larta dhe jetë më të mirë. /Alsat.M/