Histeri antishqiptare në Maqedoni, për të fshehur krimin
Maqedonia gjendet në krizë politike, por partitë nacionaliste thellojnë ndarjen midis kombeve në Maqedoni, shkruhet në një informacion nga Shkupi të revistës gjermane “Der Spiegel.”
“Një gjest i vogël, por me përmbajtje eksplozive: pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit, Talat Xhaferri dhe pasi ai u vendos në zyrën e Kryetarit, ai vendosi tre simbole: atë të Maqedonisë, të Bashkimit Europian dhe atë shqiptar. Maqedonia është për momentin shteti më i brishtë në Ballkanin Perëndimor, dhe ky gjest shkaktoi reagime të mëdha në opinion,” shkruan prestigjiozja gjermane Der Spiegel dhe thekson frikën “nga fantazma “Shqipëri e Madhe”.
Kjo sidomos pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, në të cilën plotësohen të drejtat e shqiptarëve, por vetëm teorikisht.
Në lidhje me këtë çështje, autori Keno Verseck citon më tej analistin Albert Musliu, i cili thotë se derisa Marrëveshja e Ohrit nuk zbatohet plotësisht dhe nuk garantohen të drejtat e shqiptarëve “shqiptarët nuk do t’i shohin institucionet shtetërore si të vetat”.
“Përgjegjësinë për krizën e mban Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE. Gruevski në dhjetë vitet e fundit qeveriste me një autoritet mbretëror, duke i imponuar vendit ideologjinë nacionaliste”. „Ish-komandati i UÇK-së, Ali Ahmeti nuk e kundërshtoi aspak këtë, si partner qeverisës. BDI e shfrytëzoi Marrëveshjen e Ohrit për të forcuar klanin e tij kriminel nëpër institucionet e shtetit dhe që të forcojë fuqinë e partisë duke pretenduar, se janë shpëtimi i vetëm i shqiptarëve të Maqedonisë”, tha për Spiegel , ish -diplomati dhe analisti politik Arsim Zekolli.
“Platforma e Tiranës”
Më tej “Der Spiegel” komenton zgjedhjet parlamentare në vend, paraqitjen e platformës së shqiptarëve dhe deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për bashkimin e Shqipërisë, nëse nuk përshpejtohen bisedimet për integrimet në BE. Revista ndalet edhe në skenarin që e shfrytëzon presidenti Gjorgje Ivanov, që të mos e japë mandatin për formimin e qeverisë së re.
“Edhe pse dokumenti (platforma shqiptare) synon të ngjallë debat, nacionalistët maqedonas protestojnë më shumë se dy muaj kundër Platformës së Tiranës.”
Për zhvillimet e fundit, diplomati dhe avokati Nikolla Dimitrov thotë: “Narrativën etnike e përdorin me qëllim që të tërheqin vëmëndjen e opinionit maqedonas nga strukturat autoritare të partive që ishin në pushtet.”
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Gjabir Deralla shpreh dëshirën për një Maqedoni me një shoqëri larg nga „idetë dashakeqe etnike”.
“Në protestat kundër regjimit të Gruevskit ishin të bashkuara të gjitha bashkësitë etnike. Shpresoj që pushtetarët të mos e thyejnë këtë energji pozitive bashkimi dhe të lejojnë hapësirë që të nxiten mardhëniet ndëretnike,” thotë Deralla për “Der Spiegel”.