Hoti për Reuters: Qeveria do formohet shpejt pas zgjedhjeve
Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë një interviste për “Reuters”, ka thënë se Kosovës do t’i duhet të negociojë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të kontrolluar kostot e huamarrjes, pasi kredia aktuale përfundon këtë verë.
Hoti tha se një nga detyrat e para të qeverisë së re, të cilën ai do ta marrë përsipër ta udhëheqë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, do të jetë fillimi i negociatave me Fondin.
Kosova ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare financimi me FMN-në, në korrik të vitit 2015, me vlerë 184 milionë euro. Në mars, Bordi i FMN-së ka miratuar zgjatjen e kësaj marrëveshje deri më 4 gusht të këtij viti, për t’i dhënë kohë të mjaftueshme avancimit të reformave strukturore që janë duke u bërë.
“FMN-ja na jep kredibilitet. Kosova është një vend i ri, ne duhet të financojmë shumë projekte infrastrukturore”, tha Hoti në një intervistë telefonike për “Reuters”.
Ditëve të fundit ai ka udhëtuar në Bruksel për një takim të ministrave të financave të Ballkanit Perëndimor, të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.
Hoti ka theksuar se investimi në projekte të mëdha infrastrukturore, siç janë hekurudhat, rrugët rajonale, madje edhe sistemi i ujitjes, i cili do të përmirësonte prodhimin e bujqësisë, është një prioritet për autoritetet në Kosovë.
Kosova ka shpallur zgjedhje të parakohshme, pasi Parlamenti i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit Isa Mustafa me një mocion mosbesimi. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka emëruar Hotin si kandidatin e saj për kryeministër.
“Ne presim që qeveria të formohet shpejt pas zgjedhjeve … ne nuk kemi shumë kohë për të humbur”, tha Hoti.
Me një popullsi prej 1.8 milion banorësh, Kosova ka pasur ritme të larta rritjeje pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në vitin 2008. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të ulur normën e papunësisë prej 30 për qind.
Në opinionin e saj për Kosovën, në muajin prill, Banka Botërore ka thënë se perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike të Kosovës ka një potencial me trend të rritjes, por ka nevojë edhe për një ambient të qëndrueshëm politik dhe një klimë më të mirë të të bërit biznes, që mundëson investime. Banka Botërore ka thënë gjithashtu se rritja afatshkurtër ekonomike pritet të nxitet nga investimet dhe konsumi.
Zgjedhjet e 11 qershorit do të shtyjnë më tej miratimin e një marrëveshjeje për demarkacionin me Malin e Zi, i cili është në qendër të kërkesave të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kjo çështje do të ndalë përkohësisht bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat janë vendimtare për progresin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kosova u nda nga Serbia në vitin 1999, pasi bombardimet e NATO-s ndërprenë fushatën e spastrimit etnik të drejtuar kundër shqiptarëve etnikë nga forcat serbe, duke u përpjekur të shtypin një kryengritje dyvjeçare.
Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende, përfshirë këtu fuqitë perëndimore, por jo edhe nga Serbia dhe aleati i saj Rusia apo disa anëtarë të BE-së, si Spanja.