I kishte vrarë vëllain, e ekzekuton në një xhami në Zvicër, tani shqiptari kërkon rigjykim
Rasti i shqiptarit nga Lugina e Preshevës, i cili në gushtin e vitit 2014 kishte vrarë në një xhami të St. Gallenit bashkatdhetarin e vet, do të dalë sërish para gjyqit.
I akuzuari, i dënuar në shkallën e parë (në Gjykatën e Qarkut, St. Gallen) me 18 vjet burg për vrasje të rëndë, ka ankimuar vendimin dhe kërkon zbutje të dënimit në dhjetë vjet burg. Ai ka kërkuar që kualifikimi i aktit të tij nga vrasje e rëndë të ndryshohet në vrasje me paramendim. Ndërkaq, prokuroria kërkon për të rritje të dënimit, nga 18 në 20 vjet heqje lirie.
Procesi pritet të zhvillohet nga fundi i tetorit në Gjykatën Kantonale të St. Gallenit
Shqiptari 53-vjeçar është dënuar për veprën penale vrasje të rëndë. Sipas përfundimeve të gjykatës shqiptari kishte planifikuar vrasjen dhe e ka realizuar atë plan duke vrarë personin që nuk kishte mundësi të mbrohej. Kjo ka ndodhur gjatë kryerjes së ritualit fetar në xhaminë El Hidaje në Winkel të St. Gallenit, shkruan albinfo.ch
Por i dënuari, përveçse që ka pranuar vrasjen, ka kundërshtuar se e ka planifikuar atë. Sipas tij ai duhet të dënohet për vrasje me paramendim e jo vrasje të rëndë, sepse ai e ka kryer vrasjen nga një psikozë e frikës që e ka kapur dhe e ka shtyrë që të qëllojë me armë.
Vrasja ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj viktimës, i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllain e të parit dhe e kishte plagosur edhe atë. Pasi gjykata kishte konstatuar se vrasja e para 19 viteve kishte ndodhur në vetëmbrojtje, autori kishte qëndruar vetëm pak kohë në burg. Kjo sipas palës së dëmtuar të asokohe ishte e padrejtë dhe për këtë arsye i akuzuari kishte vendosur që të ndante “drejtësinë” vetë.
Nehat I., i cili ka pranuar se e ka bërë vrasjen, ka deklaruar se fillimisht kishte dashur të bisedonte me viktimën. Si motiv kryesor për vrasje sipas tij ka qenë fakti se viktima kurrë nuk kishte kërkuar Besë nga familja e tij dhe se ishte sjellë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo e ka prekur atë dhe ka sjellë te vrasja.