Ilir Meta priti sot Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajović
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi ,Darko Pajović me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe ranë dakord për intensifikimin e konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve në funksion të integrimit evropian të të dy vendeve dhe avancimit të projekteve strategjike rajonale.
Gjatë takimit, dy kryeparlamentarët Meta dhe Pajović vunë në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një model i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë për të gjithë rajonin.
Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi z. Darko Pajović ndodhet sot në Tiranë me rastin e ratifikimit të Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për Aderimin e Malit të Zi në NATO nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme plenare, ku z. Pajović do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse.
Pas takimit miqësor në Kryesinë e Kuvendit, Meta dhe z. Pajović zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp:
Fjala e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta
Së bashku me Kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Dade patëm kënaqësinë t’i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetarit të ri të Parlamentit të Malit të Zi, z. Darko Pajovic, në këtë vizitë të parë zyrtare të tij në Tiranë.
E kemi uruar kolegun Pajovic për marrjen e postit të ri dhe shumë të rëndësishëm në krye të Parlamentit të Malit të Zi dhe e kemi siguruar atë për vullnetin e plotë të Kuvendit të Shqipërisë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet midis dy Parlamenteve tona dhe vendeve tona.
Është tashmë një fakt që na gëzon të gjithëve, se gjithmonë kur flitet për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis vendeve të ndryshme në rajonin tonë, padyshim që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi përmenden gjithmonë si një model i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë.
Kemi ndarë bindjen se duke marrë në konsideratë këto marrëdhënie të shkëlqyera që dy vendet tona gëzojnë, bashkëpunimi mes dy parlamenteve tona duhet t’i shërbejë edhe më konkretisht rritjes së cilësisë së bashkëpunimit mes dy qeverive dhe gjithë institucioneve, në veçanti në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sikurse është bërë e qartë prej kohësh, Shqipëria ka mbështetur pa asnjë rezervë integrimin euro-atlantik të Malit të Zi. Ndaj dhe sot Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Aleancës së Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi në NATO, siç e premtuam edhe gjatë takimit të ngrohtë që patëm me Kryeministrin Milo Gjukanoviç muajin e kaluar në Tiranë, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku ai ishte i ftuar i veçantë.
Aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit tonë, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stabilitetit për Evropën Juglindore.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi dhe miqësia shqiptaro-malazeze janë mjaft të rëndësishme dhe domethënëse për stabilitetin e rajonit.
Mali i Zi, përfaqëson jo vetëm një vend fqinj e mik, por edhe një partner të natyrshëm në zhvillimin e projekteve rajonale, dhe në këtë kuadër mendoj se të dy vendet tona do të punojnë edhe më shumë për të konkretizuar e shumëfishuar projektet e përbashkëta ekonomike e shkëmbimet tregtare mes nesh, me qëllim rritjen e prosperitetit për qytetarët tanë.
Autostrada Adriatiko-Joniane apo Korridori Blu, si dhe zgjerimi i Gazsjellësit TAP përmes degëzimit IAP, janë disa prej këtyre projekteve më rëndësi strategjike për rajonin tonë, ku Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë përfitime të rëndësishme.
Kemi biseduar edhe lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, duke i konsideruar ata si një urë solide të miqësisë dhe një element jashtë i rëndësishëm për stabilitetin dhe kohezionin e brendshëm të Malit të Zi.
Ne e vlerësojmë vëmendjen që i kushtohet të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet malazeze dhe inkurajojmë progresin e mëtejshëm në këtë drejtim.
Rajoni ynë po kalon momente sfidash të rëndësishme historike, duke marrë në konsideratë këtu edhe sfidat globale të sigurisë e konfliktet në rajonet fqinje. Ndaj mendoj se politikanët si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi, por edhe në Maqedoni, Kosovë e kudo në rajon, kanë një përgjegjësi të veçantë për sa i përket ruajtjes së stabilitetit dhe eliminimit të pengesave rajonale.
Ne vlerësojmë këtu edhe mbështetjen strategjike që japin SHBA-të dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian në forcimin e demokracisë dhe standardeve të mirëqeverisjes në vendet tona.
Duke e falënderuar edhe një herë kolegun Pajovic për vizitën e tij, dua ta siguroj atë për miqësinë dhe mbështetjen tonë të vendosur ndaj Malit të Zi dhe popullit të tij mik.
Faleminderit!
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Darko Pajovic
I nderuar z. Meta!
Përfaqësues të medias!
Kjo është vizita e dytë ndërkombëtare gjatë 20 ditëve të fundit, kohë kur unë kam marrë detyrën e Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, dhe vizita e parë në një shtet fqinj.
Kam kënaqësinë që jam sot këtu për disa arsye. Ato janë historike, kulturore, njerëzore. Gjithsesi edhe marrëdhëniet midis dy popujve dhe dy shteteve tona janë shumë të mira, siç kanë qenë edhe në të kaluarën.
Si Kryetar i Parlamentit i porsazgjedhur falënderoj z. Meta dhe të gjithë juve. Vlerësoj marrëdhëniet e mira të cilat do të kenë vazhdimësinë e tyre.
Dua të theksoj se gjenerata e re politike në shtetin tonë ka filluar të marrë përgjegjësitë se saj.
Për ne nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO. Për ne NATO nuk është vetëm një aleancë politike dhe sigurie. Ajo është e rëndësishme për sigurinë e paqes jo vetëm për shtetin e Malit të Zi, por edhe të vetë rajonit tonë. Dhe ato shtete në rajon që në këtë moment as nuk mendojnë për anëtarësimin në NATO, në një të ardhme të shpejtë do të fillojnë të mendojnë në këtë drejtim.
Falënderoj Parlamentin e Shqipërisë në këtë përshpejtim të anëtarësimit. Ju jeni shteti i pestë që do të ratifikoni Protokollin për Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të përforcojmë marrëdhëniet tona, por ju dërgoni një mesazh të mirë edhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s që ky proces të përshpejtohet dhe ai të ecë në drejtimin dhe tempin e duhur.
Sot kemi diskutuar për mundësitë dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy parlamentareve dhe komisioneve të ndërsjella të dy Parlamenteve. Unë besoj se së shpejti do të realizohet edhe një vizitë e ndërsjelltë e Kryetarit Meta me stafin e tij në Parlamentin e Malit të Zi dhe ne kështu në këtë mënyrë do të kemi shansin që t’ju kthejmë në një mënyrë mikpritjen tuaj të sotme.
Nuk do ta kemi të lehtë të arrijmë nivelin e mikpritjes që kemi pasur ne këtu, por sigurisht që edhe ne do të përpiqemi.
Unë do të falënderoja edhe misionin tonë diplomatik këtu në Tiranë, që gjithashtu janë një urë e rëndësishme për bashkëpunimin midis dy shteteve. Dhe besoj se në të ardhmen do të vazhdojmë me intensifikimin e bashkëpunimit e cila do të jetë frytdhënës. Dera e Parlamentit të Malit të Zi është e hapur për të gjitha iniciativat tuaja, për çdo aktivitet, për çdo gjë që i lidh dy shtetet dhe dy kombet tona.
Unë besoj se marrëdhëniet mes shteteve tona, marrëdhëniet në Ballkan duhet të ecin në drejtimin e forcimit të vlerave evropiane sepse jam i bindur se këtë mendim e ndajnë edhe popujt pa marrë parasysh se në cilën anë të kufirit janë. Ata dëshirojnë vlerat e bashkëpunimit, vlerat civilizuese, vlerat evropiane.
Edhe njëherë falënderime nga përfaqësuesit e Malit të Zi, nga delegacioni i sotëm, nga misioni diplomatik, nga shteti i Malit të Zi për hapin e sotëm për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.