Ish-ministri grek i Financave: Shpërbërja e Maqedonisë krijon “Shqipërinë e Madhe”
Ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, gjatë prezantimit të programit të partisë së tij të re në Greqi, “MeRA 25”, pjesë e pandarë e forcës së re politike paneuropiane, “Lëvizja e Demokracisë në Europë 2025”, ka theksuar midis të tjerash edhe çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që lidhet sipas tij me rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”.
“Është e nevojshme të kuptojmë se, rreziku më i madh nga vendi fqinj nuk janë demonstratat për Aleksandrin e Madh, por shpërbërja e këtij shteti”, ka thënë ai.
Duke shpjeguar pozicionimin e tij, ai ka deklaruar se në Tetovë ndodhen shqiptarë të armatosur, të gatshëm për ta ndarë fqinjin verior të Greqisë me logjikën e “Shqipërisë së Madhe”, dhe ka nënvizuar se kjo do të ishte një kërcënim për interesat kombëtare greke.
“Ajo që mban të bashkuar qytetarët e ish-Republikës Jugosllave është miti se janë maqedonas” ka shtuar Varoufakis në fjalimin e tij, duke theksuar se “është në interes të Greqisë të mos ketë një shtet tjetër të destabilizuar në kufijtë e saj”.
Varoufakis, 56-vjeçari ish-ministër i Financave në qeverinë e parë të kryeministrit Tsipras, ka dhënë dorëheqjen 6 muaj më pas, e tashmë do të kandidojë kundër partisë qeveritare “Syriza” në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi, me partinë e tij të re “MeRA 25” të quajtur “Fronti i mosbindjes realiste europiane”.
Synimi kryesor i partisë së re të politikanit kontrovers grek, pjesë përbërëse e forcës europiane “Lëvizja Demokracia në Europë 2015” e themeluar nga vet ai, është të bëjë presion për ristrukturimin e borxhit kolosal të Greqisë. Varoufakis është anëtari i tretë i qeverisë “Tsipras”, që krijon një parti të re politike kundër tij.