Ivanov refuzon dekretimin e ligjit për shqipen: Antikushtetues, nxit tensionet ndëretnike

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e ka quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”, miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. Ai ka bërë të ditur vendimin e tij për mos dekretimin e këtij ligji, të miratuar nën tensione nga shumica parlamentare.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues”, ka thënë Ivanov.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një paraqitje drejtuar qytetarëve të Maqedonisë.

Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit, Zoran Zaev dhe shumicës parlamentare për siç ka thënë, mos respektimin e garancive të dhëna se do të respektojnë kushtetutën dhe se nuk do të miratojnë ligj antishtetërore.

“Ky ligj është shprehje e tiranisë të shumicës parlamentare ndaj shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Shumica e qytetarëve asnjëherë nuk kanë votuar, dhe as që do të votonin një program politik që parasheh një ligj të tillë, antikushtetues, antishtetëror dhe ligj të dëmshëm. Një ligj i tillë jo i drejt nuk meriton të quhet ligj”, ka deklaruar Ivanov.

Por, bazuar në nenin 75 të kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar të dekretoj ligjin, nëse i njëjti miratohet për herë të dytë nga Kuvendi.

Ligjet hynë në fuqi me dekret. Dekreti për hyrjen në fuqi të ligjeve nënshkruhet nga Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendos të mos e dekretoj ligjin për hyrjen e tij në fuqi. Kuvendi sërish voton ligjin dhe nëse miratohet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i obliguar ta dekretoj atë”, thuhet në nenin 75 të kushtetutës. /rel/

SHKARKO APP