Kamenos: Do ta bllokojmë procesin e zgjidhjes së emrit të Maqedonisë me çdo kusht

“Ne në çfarëdo mënyre do ta pengojmë përdorimin e termit “Maqedoni” në emrin e vendit, kjo është e qartë”. Këtë deklaratë e bën Panos Kamenos, lideri i Grekëve të Pavarur, parti e cila është pjesë e koalicionit në qeverinë greke, njëherësh ministër i Mbrojtjes.

Në intervistë në emisionin e mëngjesit në televizionin grek “Antena”, Kamenos jo vetëm që nuk i përsëriti pozitat e tij kundër emrit të përbërë, por tha se ata si parti do të tentojnë në çfarëdo mënyre ta bllokojnë termin “Maqedoni”si përcaktim i përfshirë në emrin e shtetit.

Kamenos mes tjerash tha se që marrëveshja eventuale të shkojë deri në Parlamentin grek, duhet të përmbushen kërkesat greke për ndryshime kushtetuese.

“Që të ketë ndryshime të Kushtetutës do të duhet të mbahen zgjedhje në Shkup. Të themi se do të mbahen zgjedhje dhe të themi se do të ketë një përmbysje dhe pranim të ndryshimeve kushtetuese , që sot nuk i pranojnë. Vetëm atëherë, me vendim të qeverisë greke, do të vjen kjo marrëveshje në Kuvend dhe do të duhet të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ne para se gjithash nuk do të propozojmë që vendimi i tillë të vie në Kuvend. E dyta, edhe poqëse propozojnë tjerët dhe Demokracia e re, edhe atëher nuk do të votojmë. Nëse duhet edhe në mënyra tjera të bllokojmë procesin, do ta bëjmë këtë”, theksoi Kamenos.

Pikërisht për shkak të kërkesës për ndryshime kushtetuese, Kamenos vlerëson se nuk do të ketë marrëveshje për emrin.

SHKARKO APP