Kritikat ndaj BE-së për mbajtjen e anës serbe, Stano: Kurti ka ku të ankohet

A po mbrohet Serbia, dhe po kritikohet vetëm Albin Kurti? BE mbrohet pas kritikave dhe dyshimeve të ngritura se nuk po ndërmjetëson me barazi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i unionit, Peter Stano, tha se nëse kryeministri Kurti, apo pala serbe ka ankesa, kanë platforma të posaçme ku mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre.

“Bashkimi Europian është një ndërmjetësues i ndershëm, që po bën më të mirën duke shpenzuar shumë energji dhe burime për të lehtësuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në kërkesat e të dyja palëve dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Ne po e bëjmë punën tonë si ndërmjetësues. Duke pasur shkëmbime akuzash në publik se kush bëri çfarë dhe kush tha çfarë, kur e tha etj, nuk është rruga e duhur për të arritur një zgjidhje.

Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj, kemi një deklaratë të qartë të përfaqësuesit të lartë, të pranuar qartësisht nga të dyja palët, dhe ajo deklaratë është publikuar dhe nuk është tërhequr asnjëherë nuk askush. Roli i Bashkimit Europian është që të ndërmjetësojë, të ndihmojë si Kosovën edhe Serbinë që të arrijnë në synimin kryesor. Nëse ata nuk duan, është vendimi i tyre. Por nëse duan t’i përmbushin këto synime dhe përkushtimin e tyre për të ardhmen europiane për njerëzit e tyre, atëherë BE-je do të vijojë të ndërmjetësojë, dhe në të njëjtën kohë presim një sjellje europiane.

Kjo sjellje europiane nuk është duke drejtuar gishtin nga tjetri, por duke parë nga vetja se çfarë mund të bësh, veçanërisht kur partnerët më të afërt të tregojnë se cila është rruga e duhur për të ecur përpara. Ne nuk mund të merremi çdo ditë në shkëmbimet publike se kush tha çfarë. Ekzistojnë platforma mjaftueshëm për kryeministrin Kurti, për zëvendësin e tij apo kryenegociatorin, po ashtu edhe për palën serbe, që të ngrenë çdo shqetësim që kanë me Bashkimin Europian me homologët e tyre europianë”,-tha Peter Stano, zëdhënës i BE.

SHKARKO APP