Kriza në Maqedoni bllokon zgjedhjet lokale

Kuvendi i Maqedonisë duhet të vendose mbi datën e re të zgjedhjeve lokale, të kthyera tashmë në një tjetër problem, krahas pengesave për formimin e qeverisë së re.

Kjo e hënë 15 maji shënon ditën e skadimit të mandatit katërvjeçar për 80 kryetarë komunash, 10 nga të cilët përbëjnë qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Votimet duhej të ishin zhvilluar muajin që shkoi, por për shkak të krizës politike në vend, nuk u arrit të shpalleshin në afatin e caktuar. Krerët e grupeve parlamentare janë thirrur të hënën në takim nga  kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, një përballje kjo gjatë së cilës pritet të vendoset mbi ndryshimet e nevojshme për shtyrjen e zgjedhjeve dhe zhbllokimin e punës së komunave.

Mosgjetja e një zgjidhjeje do të paralizonte të gjithë pushtetin lokal me pasoja të rënda për qytetarët. Zyrtarët shpjegojnë se mijëra të punësuar nuk do të marrin dot pagat, nuk do të jepen leje ndërtimi, nuk do të funksionojnë shërbimet nëpër komuna, e as transporti publik.

Zgjidhja e problemit, – thotë “Radio Europa e Lirë”, – duhet kërkuar në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet me anulimin apo ndryshimin e dy neneve që kufizojnë mandatin e kryetarëve të komunave. Një zgjidhje e tillë i ishte kërkuar edhe Gjykatës Kushtetuese, por përgjigjja e saj ka qenë negative, me arsyetim se nuk është kompetente të miratojë vendime të tilla, për të cilat duhet të prononcohet institucioni ligjvënës.

Kjo ka qartësuar disi situatën për krerët e komunave dhe bashkive, të cilët shprehen se tani e dinë që për kapërcimin e ngërçit duhet t’i drejtohen kreut të Kuvendit, të cilit ia krijon ligji mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve lokale në bashkëpunim me udhëheqësit e partive politike.

SHKARKO APP