Kroatët zgjedhin presidentin e ri, Zoran Milanoviç drejt mandatit të dytë
Kroatët shkojnë sot në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vitet e ardhshme, një votë që duket se do të fitohet nga kreu i shtetit në largim Zoran Milanoviç, një politikan aktiv dhe kritik i ashpër i qeverisë.
Ish-kryeministri socialdemokrat (SDP), i zgjedhur president në vitin 2020, Milanoviç është përpara shtatë kandidatëve të tjerë në sondazhe, me 37% të votave në raundin e parë.
Por, që nuk mjafton për të fituar.
Sipas një sondazhi të publikuar të premten, ai duhet të përballet në raundin e dytë, më 12 janar, me Dragan Primorac (20% të votave në sondazhe), i mbështetur nga konservatorët në pushtet (HDZ) të kryeministrit Andrej Plenkoviç.
Zgjedhjet po zhvillohen në sfondin e një inflacioni të lartë, korrupsioni të përhapur dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991, Kroacia është qeverisur kryesisht nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).
Presidenti është kreu i forcave të armatosura dhe përfaqësuesi në skenën ndërkombëtare i vendit me 3,8 milionë banorë, anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.
Edhe pse ai ka pak kompetenca, presidenti shihet nga kroatët si një faktor stabiliteti dhe ekuilibri politik./ a.jor. ATSH