Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski: Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve e pariparueshme

Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë (e Veriut)! Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme, dhe dhimbja e familjeve, njerëzve të dashur dhe miqve është e pamatshme, shkruan sot në X kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.
”Në këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë, ndërsa familjeve të të ndjerëve forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme. Populli dhe qeveria do të bëjnë të pamundurën që sadopak t’ua lehtësojë dhimbjen dhe t’i ndihmojë në këto momente më të vështira”, shtoi ai.
”U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente – shërbimeve shëndetësore, policisë, autoriteteve lokale – që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura. Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie”, theksoi Mickoski.
”Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave pranë institucioneve kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë. Në këto kohë pikëllimi të thellë, kur zemrat tona janë thyer nga dhimbja për shkak të kësaj tragjedie të tmerrshme, bëj thirrje për bashkim, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi. Zoti qoftë me familjet e viktimave dhe të lënduarve dhe me popullin e Maqedonisë (së Veriut)!”, përfundon mesazhi i Mickoskit në X.
Së paku 50 persona kanë humbur jetën në një zjarr në një klub nate në qytetin e vogël të Koçanit të Maqedonisë së Veriut, njoftoi agjencia maqedonase e lajmeve MIA duke cituar Ministrinë e Brendshme.
Fatkeqësia ndodhi në Koçan, rreth 100 kilometra në lindje të kryeqytetit Shkup, ndërsa një grup i njohur vendas po performonte në klubin e natës.
Ka pasur edhe një numër të madh të personave të plagosur duke tejkaluar kapacitetin e spitalit të qytetit, duke bërë që shumë prej të lënduarve të dërgohen në kryeqytet, Shkup, raportojnë mediet.
”Mjetet piroteknike shkaktuan zjarrin”, tha Ministria e Brendshme./ a.jor.