Libri i manjatit shkakton skandal në Serbi

Një pretendim në librin e ardhshëm të manjatit Miroslav Miskoviç se një ish-president serb i premtoi atij se nuk do të arrestohej nën dyshimet për korrupsion ka shkaktuar një skandal publik.

Njeriu më i pasur i Serbisë, Miroslav Miskoviç, pretendon në librin e tij të ardhshëm “Unë, manjati” se Tomislav Nikoliç, i cili në atë kohë ishte presidenti i vendit dhe kreu i Partisë në pushtet Progresive, e telefonoi atë për t’i thënë se ai nuk do të arrestohej, raportoi të enjten gazeta e përjavshme Nedeljnik.

“Nuk mund të të arrestojnë. Nuk ka asnjë arsye,” pretendohet se Nikoliç i ka thënë Miskoviçit disa ditë përpara arrestimit të manjatit në dhjetor 2012, sipas një fragmenti nga libri i botuar nga Nedeljnik para publikimit të tij zyrtar të premten.

Deri më tani, Nikoliç nuk i është përgjigjur pretendimeve të bëra rreth tij në libër.

Sipas raportit, Miskoviç pretendoi se kishte marrëdhënie të mira me Nikoliçin derisa ai ishte margjinalizuar nga Aleksandër Vuçiç, i cili e zëvendësoi atë si president i Serbisë dhe kreu i Partisë Progresive.

“Nuk do ta fal kurrë Nikoliçin që i lejoi ata të më arrestonin në mënyrë të paligjshme, sepse ai e dinte, duhet ta dinte, që ata po më arrestonin vetëm për çështje politike. Ai thjesht tregoi se ka frikë nga Vuçiçi,” thuhet në fragmentin nga libri i Miskoviçit.

Miskoviç u arrestua në dhjetor 2012 dhe u akuzua se ka fituar në mënyrë të paligjshme më shumë se 30 milion euro nga kompani rrugore të privatizuara dhe evazion fiskal.

Ai u arrestua pasi Partia Progresive erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme në maj 2012.

Nikoliç, i cili udhëhoqi partinë në fitoren e këtyre zgjedhjeve, dha dorëheqjen nga kreu i partisë për të marrë përsipër detyrën si president i Serbisë, duke ia lënë partinë Vuçiçit, një nga premtimet kryesore të të cilit ishte lufta kundër korrupsionit.

Por në shtator 2017, Gjykata e Apelit e liroi Miroslav Miskoviçin, rrëzoi akuzat dhe anuloi një dënim të shkallës së parë me pesë vjet burg për dyshimet se ai kishte ndihmuar djalin e tij, Markon, në evazionin fiskal.

Gjykata urdhëroi një rigjykim të akuzave për evazion fiskal.

Vuçiç e kritikoi vendimin, duke e akuzuar gjykatën se po lejonte manjatët “të qeverisin” Serbinë.

“Ja ku i keni manjatët tuaj! Lërini ata të drejtojnë vendin tuaj,” tha Vuçiç për gazetën Vecernje Novosti pas vendimit.

Sipas raportit të Nedeljnik, Miskoviç shkroi në librin e tij se çështja ishte një “thirrje për zgjim”.

“Por për vite me radhë kam parë se si njerëzit, jo vetëm në politikë, por edhe në biznes, nuk mund t’i shpëtojnë atij kurthi. Si mund të jesh normal nëse ke ushtrinë, policinë dhe sigurimin e shtetit në dorën tënde, nëse ti i komandon të gjithë?”, shkroi Miskoviç.

Edhe pse raporti i Nedeljnik nuk specifikoi se kujt i referohej ai, Vuçiç ishte kreu i Komitetit Serb për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë midis vitit 2012 dhe 2017.

Miskoviç shkroi në libër se ai ishte gjithashtu i zhgënjyer që patriarku serb Irinej “i ktheu shpinën” atij.

“Irinej nuk e përmendi emrin tim apo komapninë Delta kur po falënderonte donatorët që kontribuuan në ndërtimin e tempullit të Shën Savës,” shkroi ai, sipas Nedeljnik.
Në librin e tij, manjati spekuloi më tej se kryeministri serb Zoran Djindjiç, i cili u vra në vitin 2003, do të ishte hequr nga detyra nëse nuk do të ishte vrarë.

“Vrasja e Zoran Djindjiçnë mars të vitit 2003 ishte shumë e vështirë për mua. Serbia nuk donte ta kuptonte Djindjiçin. Ajo nuk donte të ndryshonte. Nëse nuk do ta kishin vrarë, do ta kishin hequr nga posti pas gjashtë muajsh,” pohoi Miskoviç.

Miskoviç kritikoi gjithashtu ish-presidentin serb Boris Tadiç, i cili ishte në detyrë nga viti 2004 deri në vitin  2012, duke pretenduar se ai përgatiti terrenin për arrestimin e tij.

“Tadiç ishte frymëzimi kryesor për tregimet që synonin t’i bënin kompanitë e mëdha private të dobëta dhe prezantimin e njerëzve të shquar të biznesit në publik si pasanikë egoistë,” pohoi ai.

Ai tha se “populizmi që sundon këtu, kushdo qoftë në pushtet, është i papajtueshëm me përpjekjet për ta afruar Serbinë me Perëndimin”.

Edhe Vuçiç dhe Tadiç, deri më tani, nuk kanë bërë asnjë koment mbi pretendimet në libër. BIRN

SHKARKO APP