Lideri i opozitës në Mal të Zi nën hetim për financim nga rusët

Nebojsa Medojeviç, një nga liderët e opozitës në Mal të Zi, do të gjykohet për pastrim parash të lidhura me financimin pro-rus të aleancës Fronti Demokratik gjatë zgjedhjeve të tetorit 2016.

Gjyqi i Nebojsha Medojeviç, një nga udhëheqësit e aleancës më të fortë të opozitës të Malit të Zi, Fronti Demokratik, fillon të mërkurën në Podgoricë.

Medojeviç dhe 11 të tjerë u paditën nga Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar nën dyshimet se kanë komplotuar për të shmangur taksat dhe për pastrim parash për të financuar fushatën e Frontit Demokratik pro-rus për zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2016.

Medojeviç njihet si një nga kritikët më të ashpër të qeverisë dhe të partisë në pushtet të drejtuar nga lideri veteran Milo Djukanoviç.

Prokuroria Speciale tha se kishte mbledhur prova se Medojeviç ishte një anëtar i një organizate të paligjshme dhe se ishte përgjegjës për organizimin e një grupi njerëzish “të cilët i shpërndanë para personave të tjerë që më pas ia dhanë këto shuma në formë donacionesh Frontit Demokratik”.

Ajo shtoi se prokurorët e kanë hetuar Frontin mbi dyshimet se aleanca kishte “marrë fonde të konsiderueshme nga Rusia”.

Por Medojeviç dhe zyrtarë të tjerë të Frontit i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se çështja po shënjestron aleancën për shkak të kundërshtimit të saj ndaj qeverisë dhe Djukanoviçit, i cili ka pothuajse tre dekada në pushtet.

Ata e kanë përshkruar atë si një gjyq politik që ka për qëllim uljen e ndikimit të Frontit në vend pasi ai është grupi opozitar më i fortë.

Parlamenti, i cili dominohet nga Partia Demokratike e Socialistëve e Djukanoviçit, DPS, ia hoqi imunitetin Medojeviçit në qershor të vitit të kaluar, me kërkesë të prokurorit të posaçëm për krimin e organizuar, Milivoje Katniç.

Medojeviç tha për BIRN të martën se ai do të kërkojë një transmetim publik të gjyqit që “t’i japë mundësinë qytetarët malazezë të shohin vetë me sytë e tyre një padi të pakuptimtë”.

“Është në interesin publik të malazezëve që të më shohin drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit si ‘kreun e një grupi kriminal’ dhe se si grupi im ka kryer pastrim parash”, tha ai.

Medojeviç tha gjithashtu se është e qartë se prokuroria nuk e ka një çështje kundër tij, sepse në aktakuzë nuk përmenden bashkëpunëtorë të dyshuar dhe se ai nuk ishte vënë nën vëzhgim.

“Avokatët e mi ende nuk kanë marrë dosjet e çështjes që të mund të përgatisin mbrojtjen, që do të thotë se as gjykata dhe as zyra e prokurorisë nuk janë gati për këtë gjyq,” shtoi ai.

Dy liderë të tjerë të Frontit, Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç, po gjykohen gjithashtu në një tjetër çështje, të akuzuar për përfshirje në një komplot grushti shteti gjatë zgjedhjeve të tetorit 2016.

Ata akuzohen për pjesëmarrje në përpjekjet për të prishur “rendin kushtetues dhe sigurinë e Malit të Zi”.

Në gjyqin e grushtit të shtetit, i cili u hap majin e kaluar, prokuroria këmbëngul se një grup serbësh, malazezësh dhe rusësh, përfshirë Mandiçin dhe Knezeviçin, u përpoqën të rrëzonin qeverinë pro-perëndimore dhe të vrisnin Djukanoviçin, kryesisht për të mos lejuar hyrjen e vendit në NATO.

Si Mandiç ashtu edhe Knezeviç kanë hedhur poshtë pretendimet e komplotit si të rreme. Fronti Demokratik ka akuzuar prokurorinë se po vepron nën ndikimin e Djukanoviçit.

www.reporter.al

SHKARKO APP