Lideri i serbëve të Bosnjës kërkon ndryshimin ‘paqësor’ të kufijve në Ballkan
Lideri nacionalist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ka sugjeruar që “pjesa serbe e Bosnjës dhe pjesa e Kosovës e dominuar nga serbët duhet ti bashkohen Serbisë“, duke sfiduar qëndrimin e sponsorizuesve ndërkombëtarë të paqes kundër çdo ndryshimi të kufijve.
Prej kohësh, Dodik ka bërë thirrje për ndarjen e serbëve nga Bosnja dhe i ka kërkuar Presidentit Vuçiç që “të vendosë në axhendën e tij të bisedimeve me politikë-bërësit e fuqive të mëdha këtë çështje”.
Madje ai i ka bërë presion Vuçiç të mbështesë këtë propozim. Ndërkohë Vucic, një ish-nacionalist serb, i ka dhënë përgjigje negative kësaj kërkese, duke deklaruar se “mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës”.
Në një interviste për një media të Beogradit, Dodik ka deklaruar se “ne duhet të hapim bisedimet” për këtë çështje dhe “këtë synim mund ta realizojmë pa bërë luftë dhe mund ta zgjidhim me mjete politike”.
Partia e Dodik ka paralajmëruar një referendum për Pavarësinë e Republikës Serbe të Bosnjës për 2018 që për momentin është shtyrë. Ai ka deklaruar për televizionin serb se ‘shumica e serbëve të Bosnjës do të votojnë për t’ju bashkuar Serbisë nëse referendumi do të organizohej sot”.
Dodik ka mbështetur gjithashtu krijimin e një rajoni të Bosnjës të dominuar vetëm nga kroatët, një opsion i cili po mbështetet gjithnjë e më shumë nga nacionalistët kroatë të Bosnjës, por që kundërshtohet fuqimisht nga Boshnjakët që ishin viktimat kryesore të luftës 1992-1996 si dhe nga fuqitë perëndimore.