Lobimi i Serbisë në Washington
Ish-menaxheri i fushatës zgjedhore të Presidentit Trump për vizitë në Beograd
Nga Ruben Avxhiu
Një ish-menaxher i fushatës zgjedhore të Presidentit Trump ndodhet në Beograd, ndoshta për një marrëveshje lobimi në SHBA.
“Balkan Insider” ka postuar një fotografi ku shihen Corey Lewandowki me ish-shefin e Kabinetit të Ivica Daçiqit dhe një personi tjetër.
Lajmi është ende në zhvillim, por mund të besohet se ish-këshilltari i Presidentit Donald Trump ndodhet në Serbi për një marrëveshje lobimi në Washington. Pas largimit nga politika, Lewandowski ka themeluar një firmë lobimi dhe thuhet se premton takime me Presidentin Trump në shkëmbim të pagesës. Disa kritikë nuk besojnë se ai ka vërtet ndikimin që pretendon që ka ndaj ish-bosit të tij.
Pak ditë më parë, ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, tani një nga krerët e opozitës, i kërkoi publikisht Presidentit Vuçiq që të tregonte hapur nëse ishte takuar vërtet me Lewandowskin, në një kafe në Nju Jork për t’i këkuar lobim. Ai e pyeste që serbët duhet të dinë se çfarë ka biseduar, sa para ka ofruar dhe kush do të pagujë.
Presidenti serb i ka injoruar pyetjet e tij, por burime të ndryshme të medias flasin për një rritje të madhe të lobimit për Kosovën nga Serbia në të gjitha kancelaritë perëndimore.
Balkan Insider që botoi fotografinë thotë se Branko Lazareviç, ish-këshilltari i Daçiqit në foto, është nën hetim për larje parash dhe nxjerrje sekretesh shtetërore për llogari të bosit të drogës në Ballkan, Darko Sariq.
Lewandowski i u detyrua të largohej nga fushata e kandidatit Donald Trump, për shkak të presionit të familjarëve të presidentit që nuk i pëlqenin metodat pa klas dhe brutale të ish-menaxherit. Megjithë se e pushoi nga puna, Trump ka ruajtur lidhjen me Lewandowskin, të paktën gjatë vitit të fushatës zgjedhore. (Ruben Avxhiu)