Mali i Zi dëbon një diplomat rus

Mali i Zi e shpalli “të padëshirueshëm” një përfaqësues diplomatik të akredituar në ambasadën ruse në Podgoricë duke i dhënë një javë afat për t’u larguar dhe i hoqi akreditimin konsullit rus të nderit në Mal të Zi.

Qeveria malazeze tha se vendimi është marrë në bashkërendim me aleatët në Bashkimin Evropain dhe në NATO, në vijë me kundërpërgjigjen e tyre ndaj sulmit me lëndë nervore ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në Britani të Madhe.

Ky hap pason një vendim të ngjashëm nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 20 vendeve të tjera si dhe të NATO-s, që fajësuan Rusinë për sulmin. Moska ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se dëbimet masive ishin rezultat i “presionit kolosal” nga ana e Uashingtonit.

Të hënën SHBA urdhëroi 60 diplomatë rusë të akuzuar si agjentë, për t’u larguar nga vendi brenda një jave dhe urdhëroi mbylljen, deri më 2 prill, të konsullatës së Rusisë në qytetin port Seattle në shtetin e Uashingtonit. Zoti Lavrov tha se Moska do t’i përgjigjet vendimit të Shteteve të Bashkuara brenda një jave.

SHKARKO APP