MAQEDONI – Presidenti ngarkon opozitën për formimin e qeverisë
Presidenti maqedonas i djathtë, Gjorge Ivanov ngarkoi sot kreun e opozitës së majtë Zoran Zaev për të formuar me partitë shqiptare një qeveri koalicioni për nxjerrjen e vendit nga kriza politike në të cilën ka hyrë që prej dy vjetësh.
“Në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit, SDSM, Partia Social-Demokrate e Zoran Zaevit ka maxhorancën dhe i jap zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë”, deklaroi Ivanov për shtypin.
Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov gjatë aktit të dorëzimit të mandatit për formimin e qeverisë së re deklaroi se pengesat për dhënien e mandatit janë mënjanuar dhe se tani duhen përmbushur detyrimet kushtetuese.
“Pengesat për dhënien e mandatit për formimin me qeverisë së re janë tejkaluar. Sot po i përmbahemi përmbushjes së nenit 84/1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë për të dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, theksoi Ivanov.
“Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, që ka shumicën në Parlamentin maqedonas ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidati, të cilit do t’i jepet mandati për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”– deklaroi presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov.
Edhe Zoran Zaev theksoi se pengesat për ndarjen e mandatit janë tejkaluar.
“Edhe njëherë dua të konstatoj para mbarë opinionit se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar”, theksoi ai.
Zoran Zaev dhe partia e tij SDSM, mbështetës i fortë i partive shqiptare disponon maxhorancën në Parlament (67 deputetë nga 120).
Por, presidenti Gjorge Ivanov deri tani kishte refuzuar ta lejonte Zaevin të formonte një qeveri duke theksuar se kabineti i SDSM dhe partive shqiptare prekin unitetin kombëtar të Maqedonisë.
Në pushtet që prej vitin 2006, partia VMRO-DPMNE (e djathtë) u rendit në krye të zgjedhjeve legjislative të parakohshme më 11 dhjetor me 51 vende kundër 49 për SDSM, një maxhorancë e pamjaftueshme për të qeverisur e vetme. AFP/