Maqedoni, Spasovski: Gjashtë deputetë kanë marrë pjesë në dhunën në Kuvend

Oliver Spasovski, i cili me gjasë do të kthehet në postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, deklaroi se gjashtë deputetë kanë marrë pjesë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend.

Sipas Spasovskit, tre deputetë u kanë mundësuar protestuesve të futen në Kuvend, kurse tre të tjerë u kanë treguar vendndodhjen e deputetëve të shumicës së re parlamentare.

Spasovski premtoi se qeveria e re reformuese e kryesuar nga LSDM-ja është e vendosur të zbatojë reformat në polici dhe në shërbimet e sigurimit, me qëllim që ajto të kthehen në shërbime profesionale, moderne dhe efikase për qytetarët.

Ai shtoi se do t’i përmirësojnë kushtet e punës së të punësuarve në polici dhe shërbimet e sigurimit, dhe do ta përforcojnë besimin dhe bashkëpunimin midis policisë dhe qytetarëve.

“Së bashku me profesionistët, do t’i bëjmë reformat e nevojshme përmes të cilave do të mundësojmë që policia t’i mbron vetëm qytetarët, e jo interesat personale të dikujt , ose interesat partiake . Vetëm përmes depolitizimit dhe dekriminalizimit të policisë mund të ndërtojmë sistem të sigurt profesional dhe efikas që do ta garantojë sigurinë, stabilitetin dhe shtetin ligjor, ashtu siç jemi të vendosur ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë”, theksoi Spasovski.

SHKARKO APP