Maqedoni – Thellohet kriza, kryetarët e Komunave pa mandat, s’marrin vendime

Nga dita e sotme, mandati i Kryetarëve dhe Këshilltarëve të Komunave në Maqedoni ka skaduar, duke thelluar edhe më tej krizën në shtetin fqinj. Në këto kushte, të zgjedhurit e pushtetit vendor nuk do të kenë më tagrin për të firmosur vendime duke sjellë një kaos institucional. Gjithashtu, Presidenti Ivanov ende nuk ka vendosur të japë mandatin për Zoran Zaev, në kushtet kur kryeparlamentari Xhaferi ka caktuar datën 19 maj si afatin përfundimtar të pritjes.

Kriza politike në Maqedoni është thelluar edhe më tej, teksa duke filluar nga dita e sotme, të zgjedhurve të pushtetit vendor u ka skaduar mandati dhe si rrjedhojë nuk do të kenë më tagrin për të marrë vendime.

Sipas ekspertëve, kjo gjë do të ndikojë në paralizimin total të institucioneve lokale gjë që përkthehet në kaos për qytetarët.

Në këto kushte, ata i kanë bërë thirrje politikës që të japë një zgjidhje për problemin.

Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, thirri një takim kordinues me partitë parlamentare, ku morën pjesë të gjitha forcat politike, me përjashtim të VMRO DPMNE.

Në diskutime, palët ranë dakord se është mjaft e rëndësishme që të ketë ndryshime në kodin zgjedhor, për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në gjysmën e parë të muajit tetor.

Gjithashtu, pjesë e planit për zgjidhjen e ngërcit është zgjatja e mandatit për kryetarët e komunave dhe si dhe këshilltarët.

Me këto propozime kanë rënë dakord të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje, ndërkohë që nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, kërkon mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë të jetë e mundur.

Një tjetër çështje problematike mbetet vendimi i Presidentit Ivanov për të mos mandatuar liderin e social-demokratëve, Zoran Zaev.

Kryeparlamentari Xhaferi ka caktuar datën 19 maj si afatin përfundimtar të pritjes, e më pas Kuvendi do të proçedojë me njohjen e qeverisë së re.

SHKARKO APP