Maqedonia voton sot për pushtetin e ri lokal

Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.

Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3480 vendvotime.

Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet organizohen dhe realizohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, cili ka bërë thirrje për proces demokratik zgjedhor.

“KSHZ-ja kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, nga administrata zgjedhore, partitë politike, qytetarët, që të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Qytetarët presin nga KSHZ-ja dhe nga administrata zgjedhore të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike, të cilat janë kusht për përparim të mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Tek partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin (komunë e Shkupit), Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe rreth dhjetë komuna tjera rurale. Në Kërçovë nga partitë shqiptare merr pjesë vetëm kandidati i BDI-së pasi partitë tjera janë tërhequr nga gara për të mos rrezikuar siç kanë thënë këtë që të humbet nga shqiptarët.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve.

Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendor dhe afër 400 të huaj. Numrin më të madh të vëzhguesve e ka asociacioni qytetar “Most”, rreth 2500 që do të mbulojnë 50 për qind të vendvotimeve.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet nën masa të shtuara të sigurisë. Nga Ministri e Punëve të brendshme kanë bërë të të ditur se të gjithë 3840 vendvotimet do të ketë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Rezultatet e para nga votimi i sotëm pritet të publikohen nga mesnata, por përpunimi i tyre bazuar nga ciklet e kaluara zgjedhore zhvillohet në formë elektronike dhe çdokush ka mundësinë që drejtpërdrejt në faqen e internetit të KSHZ-së të ndjek shpalljen e rezultateve varësisht përpunimit të të dhënave që arrijnë nga qendrat e votimit./REL/

SHKARKO APP