Marrëveshja serbo-ruse, Osmani: Mesazh i qartë që nuk kontribuon për paqe
Nënshkrimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Rusisë në fushën e politikës së jashtme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e lexon si një mesazh të qartë që nuk kontribuon për paqe. Në një intervistë për ”Zërin e Amerikës”, ajo ka theksuar se i sheh me dyshim propozimet dhe dokumentet e përfolura së fundmi si modele të përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
”Që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre.
Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese dhe tani ju e keni parë, vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë. Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta.
Edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE.
Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndëmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”, ka thënë Osmani.