Mbahet mbledhja e parë e kabinetit, qeveria e Xhaferit flet shqip

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka mbajtur mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, i cili sapo mori votëbesimin e parlamentit. Xhaferi iu tha ministrave se do ta zhvillojë seancën në të dyja gjuhët, duke iu kërkuar atyre që të mos vendosin kufje.

Kryeministri uroi të gjithë ministrat për detyrën dhe u shpreh se do të bëjë gjithçka për plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR që zgjedhjet e ardhshme të jenë brenda standardeve.

“Hapjen e seancës do ta bëj në fillim në të dyja gjuhët, nuk ka nevojë për kufje, sepse do të them të njëjtën gjë. Ju mirëpres në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë konstituive të qeverisë kalimtare të Maqedonisë së Veriut. Para se të kalojmë në miratimin e rendit të ditës, të gjithë anëtarëve të qeverisë, në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për zgjedhjen dhe t’ju uroj punë dhe bashkëpunim të suksesshëm. Para nesh është një detyrë kyçe përgatitja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira në një atmosferë demokratike. Në këtë kemi obligim të bashkëpunojmë me Parlamentin dhe KSHZ-në dhe me misionin e OSBE/ODIHR-it, me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar standardet më të larta evropiane në fushatën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet në mënyrë që qytetarët mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre”, tha mes të tjerash Xhaferi.

SHKARKO APP