Mediet serbe: Pritshmëritë nga Trampi, zhgënjyese!
Nga Sevdail Hyseni/Gazetat më të lexuara në Serbi: “Blic”, “Alo’, “Kurir” etj, kanë mbushur faqet e tyre me opinione, deklarata e komente nga më të ndryshmet, se presidenti i ri, Donald Tramp, nuk do ta ndryshoj politikën e jashtme amerikane ndaj Ballkanit e as nuk do t’ia kthej Kosovën – Serbisë.
Pritshmëritë serbe nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, të cilat favorizuan dhëndrin e imagjinuar të tyre Donaldin, ishin iluzore dhe të pajustifikuara.
Gëzimi i shfrenuar i qarqeve të ndryshme serbe në Beograd e jashtë tij, filloi ngadalë t’i kthehet realitetit.
“Ndoshta raporti midis Uashingtonit dhe Beogradi, do të jetë disi më i qetë, por kjo nuk do të thotë se është lajm i madh. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të mbetet prioritet i qëndrueshëm i politikës së jashtme amerikane. Mos të presim edhe ndryshime të mëdha në planin e bashkëpunimit ekonomik”, thekson për gazetën “Blic” -i, Boshko Jakshiq, komentator i politikës së jashtme nga Beogradi..
Ndërsa për gazetën beogradase “Alo”, po i njëjti komentator, Boshko Jakshiq, thekson se “serbët tradicionalisht janë të lidhur me republikanët se sa me demokratët, por kjo për ne nuk është e një rëndësie të veçantë. Sa i përket konstatimeve se Trampi është dhëndër i serbëve, ai, është kategorik: “Bashkëshortja e Trampit, Melani është sllovene, pot ë kishte qenë serbe, ne do t’i kishim hipur botës mbi kokë !”.
Shtypi i verdh serb, i cili reflektohet përmes gazetës “Kurir”, sjell një këngë për Trampin, të kënduar nga çetnikët serbë të Nju Jorkut, të cilit madje me një foto montazh ia vënë shajkaçen me kokardë në kokë.
Kënga nis me vargjet:
Ç’është ajo që shkëlqen mbi Nju Jork,
Janë flokët e Donaldit mbi kokë.
Ej Donald, fytyrën e ke të bardhë
Veshur me kostum çetnike në ar
Askush nuk guxon Donaldin ta fy’j
Çdo çetnik ia ruan shpinën atij !
Këtë eufori ngazëllyese të serbëve në Amerikë, se ata e kanë zgjedhur Trampin president, komentatori Jakshiq, e ka vlerësuar si tepër megalomane, madje edhe naive. “100 mijë votues serbë sa ka në Amerikë, kundër 200 milionë votuesve, është si një pikë uji në det!”
Ndërkaq, nënkryetari i Qendrës për Politikë të Jashtme, në Beograd, Dragan Gjukanoviç, në një deklaratë për mediet serbe ka thënë se “presidenti i ri i SHBA-ve, nuk ka ndërmend t’ia kthejë Kosovën Serbisë dhe se Serbia nuk është në kreun e prioriteteve”.
Mediet në Serbi, kanë filluar ngadalë, të ulin entuziazmin e tepruar, nga fitorja e Donald Tramp, në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke iu kthyer realitetit ekzistues në shtetin ku ato e bëjnë jetën mediale, të varur ose të pavarur nga politika ditore.