Meta në parlamentin malazez kërkon mbrojtjen e drejtave të shqiptarëve
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe prej Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë, Paulin Sterkaj, u prit sot në Podgoricë nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, z. Darko Pajovic. Dy kryeparlamentarët Meta e Pajovic vlerësuan cilësinë e shkëlqyer të shkëmbimeve e marrëdhënieve politike e ndërparlamentare mes dy vendeve dhe ndanë bindjen se në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike, dy parlamentet duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre edhe më tej.
- Pajovic shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e tij në Tiranë në seancën parlamentare të ratifikimit të protokollit të aderimit të Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut Verior nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 qershor, ndërkohë që z. Meta vlerësoi instalimin e sistemit të përkthimit simultan të gjuhëve shqipe e malazeze në Parlamentin e Malit të Zi si një shenjë e qartë e vëmendjes që autoritetet malazeze tregojnë ndaj pakicës nacionale autentike shqiptare në vendin fqinj.
Duke evidentuar rolin vendimtar të shqiptarëve në momente kyçe shtetformuese e integruese euro-atlantike për Malin e Zi, Kryetari i Kuvendit Meta solli në vëmendje nevojën për gjetjen e zgjidhjeve konkrete të disa kërkesave të pakicës shqiptare të Malit të Zi që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në Tuz, me shfrytëzimin e resurseve natyrore për nevojat buxhetore të komunave lokale apo me ligjin e të mirave detare për Ulqinin si dhe të çështjeve që lidhen me përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe.
- Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare që forcojnë më tej demokracinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i ndjeshëm për sa i përket të drejtave e kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu angazhimin e tij për të mirëpritur në Kuvend një përfaqësi të kësaj pakice me vullnetin e sinqertë për t’iu përgjigjur objektivisht kërkesave e nevojave të tyre, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.
- Meta e Z. Pajovic vlerësuan gjithashtu edhe pasuritë e përbashkëta natyrore dhe theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta ndërkufitare në mbrojtje të mjedisit dhe në mbështetje të zhvillimit të paketave eko-turistike të përbashkëta.
Pas takimit, Kryetari i Kuvendit,Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Malit të Zi ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier.
Fjala e Plotë e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta në Parlamentin e Malit të Zi
I nderuar President i Parlamentit të Malit të Zi z. Pajovic,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i OSBE, z. Zannier,
Shkëlqesi Ambasadorë, të dashur miq,
Para së gjithash, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq të ngrohtë që na keni rezervuar këtu në Podgoricë.
Një falënderim të veçantë për kolegun tim z. Darko Pajovic për kthimin e ftesës në vendin mik të Malit të Zi, vetëm tre jave pas vizitës së tij në Tiranë.
Për mua personalisht, është një kënaqësi e jashtëzakonshme që më jepet mundësia dhe nderi të mbaj fjalimin e parë në gjuhën shqipe këtu në Parlamentin e Malit të Zi, në përurim të sistemit të përkthimit të përhershëm simultan në gjuhët shqipe dhe malazeze (dhe anasjelltas) i cili do të përdoret gjatë zhvillimit të seancave parlamentare në Malin e Zi.
Ky është një hap vizionar domethënës, ndaj në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’ju falënderoj për realizimin e vizionit tuaj për një Mal të Zi sa më modern e të integruar në strukturat euro-atlantike.
Falënderoj gjithashtu grupimin e partive shqiptare të Malit të Zi, të cilat në përputhje me Kushtetutën tuaj bazuan kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në Parlamentin e Malit të Zi.
Të dashur miq,
Ne i çmojmë si të shkëlqyera marrëdhëniet që ne kemi ndërtuar me fqinjin tonë Malin e Zi, të cilat janë model i fqinjësisë së mirë dhe të mbarëvajtjes së marrëdhënieve në rajonin tonë.
Ju keni realisht një vend të mrekullueshëm, të cilin e kemi fort për zemër, dhe besoj se e vini re nga fluksi i jashtëzakonshëm i vizitorëve nga Shqipëria, jo vetëm në Budva, Ulqin, Kotor, por edhe në Kolashin, Zhablak dhe Podgoricë.
Miqësia historike dhe lidhjet e natyrshme që ekzistojnë mes dy popujve tanë janë një shembull për të gjithë rajonin, dhe për këtë duhet të ndjehemi krenarë.
Shqipëria dhe Mali i Zi ndjehen edhe më afër njëri-tjetrit, jo vetëm prej gjeografisë që na bashkon, por edhe falë pakicës shqiptare këtu, e cila na lidh edhe më fort, si një urë solide miqësie e bashkëpunimi.
Shqipëria e vlerëson maksimalisht zhvillimin e jashtëzakonshëm demokratik e social të Malit të Zi gjatë këtyre viteve të fundit.
Në mënyrë të veçantë dëshiroj të veçoj progresin tuaj në rrugën euro-atlantike, axhendë të cilën Shqipëria e mbështet fort dhe pa asnjë rezervë.
Në mbështetje të qartë të kësaj perspektive, Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 23 qershor me konsensus të plotë ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi në NATO, siç e kishim premtuar edhe gjatë takimit të ngrohtë që patëm me Kryeministrin Gjukanoviç muajin e mëparshëm në Tiranë, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ne gjykojmë se aderimi i Malit të Zi në NATO si dhe avancimi drejt përfundimit pa vonesa të proceseve integruese euro-atlantike për të gjithë vendet e rajonit tonë, janë kyçe për forcimin e perspektivës së paqes dhe stabilitetit për gjithë Evropën Juglindore.
Këtu, progresi i bërë prej Malit të Zi, është një kontribut substancial që duhet çmuar prej të gjithë fqinjëve dhe vendeve te rajonit tone.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi dhe miqësia shqiptaro-malazeze janë tejet të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.
Ndaj dhe kemi diskutuar me kolegun Pajovic si në Tiranë, por edhe sot këtu në Podgoricë, se bashkëpunimi mes dy parlamenteve tona duhet t’i shërbejë edhe me tej dhe më konkretisht rritjes së cilësisë së bashkëpunimit mes dy qeverive respektive, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian të të dy vendeve.
Në këtë kuadër, ne besojmë se një Ballkan tërësisht i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO është zgjidhja përfundimtare e problematikës që trashëgojmë nga e kaluara.
Në këtë kuadër, ne kemi mbështetur proceset integruese rajonale të të gjithë fqinjëve tanë dhe në veçanti zbatimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës si dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, i cili i shërben mirëqenies, zhvillimit ekonomik e sigurisë të të gjithë vendeve dhe popujve tanë.
Këtu më lejoni të shpreh mirënjohjen për gatishmërinë e Malit të Zi jo vetëm në ruajtjen e harmonisë ndëretnike, por edhe në njohjen e realiteteve politike në rajon, siç ka qenë njohja e Shtetit të Kosovës, të cilën ne e vlerësojmë maksimalisht.
Me këtë rast dua t’ju siguroj se shqiptarët në rajon e në të gjithë botën asnjëherë nuk do ta harrojnë mikpritjen dhe besën e Malit të Zi ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar në pranverën e vitit 1999 të cilët gjetën mikpritjen dhe bujarinë tuaj këtu në Mal te Zi.
Ndërsa për mesazhin që një pjesë e deputetëve të opozitës tuaj këtu dhanë me rastin e vizitës time, dua edhe unë t’u jap një mesazh nga Parlamenti i Malit te Zi, duke i siguruar ata se ne jemi të përqendruar për të punuar së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe me të gjithë vendet e rajonit, dhe padyshim edhe me Serbinë.
Me këtë rast dua të theksoj se çdo ditë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë përparojnë dhe njohin progres të admirueshëm.
Ne jemi të angazhuar që mundësisht në pak vite, t’i çojmë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë në atë nivel të shkëlqyer që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt të qytetarëve tanë në të gjithë vendet e rajonit tonë.
Por duke patur në konsideratë potencialin e projekteve rajonale ku të dy vendet tona janë kyçe, mendoj se shumë më tepër mund të bëhet nga të dy anët.
Autostrada Adriatiko-Joniane apo Korridori Blu, si dhe zgjerimi i Gazsjellësit TAP përmes degëzimit IAP drejt Malit të Zi e më tej në Kroaci e në Bosnjë, janë dy prej këtyre projekteve madhore të ndërlidhjes rajonale me rëndësi strategjike për të dy vendet tona.
Po kështu përveç detit Adriatik që ne e ndajmë së bashku edhe me fqinj të tjerë, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë disa resurse të jashtëzakonshme unike, siç është Liqeni i Shkodrës, Lumi i Bunës, Lumi i Cemit, Alpet dhe Bjeshkët e Nemuna, ku angazhimi ynë i përbashkët për ruajtjen, mbrojtjen, zhvillimin dhe mirëmenaxhimin e tyre në interes të mirëqenies së qytetarëve tanë, mbetet shume i rëndësishëm për të ardhmen.
Ne e vlerësojmë vëmendjen që i kushtohet të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet malazeze dhe inkurajojmë progresin e mëtejshëm në këtë drejtim, ashtu siç inkurajojmë vazhdimisht pjesëmarrjen kontribuuese dhe konstruktive të shqiptarëve në të gjithë jetën institucionale dhe politike të Malit të Zi.
Ne jemi krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve të Malit të Zi për pavarësinë e vendit tuaj dhe për forcimin e shtetit të Malit të Zi si një shtet demokratik, evropian dhe euro-atlantik.
Përdorimi i gjuhës shqipe këtu në parlamentin tuaj, është shenjë e qartë e rëndësisë që ju i kushtoni kërkesave të kësaj popullsie autoktone.
Por mendoj se ka ende hapësirë jo vetëm për të përmirësuar standardet e jetesës së pakicës shqiptare për një bashkëjetesë më solide dhe demokratike. Ka ardhur koha që si miq të flasim më hapur dhe të veprojmë përmes një vullneti te qarte e konkret me qellim që premtimet e dhëna të japin rezultate të prekshme në terren.
Këtu më lejoni të theksoj nevojën e decentralizimit të pushtetit lokal, një kërkesë veçanërisht e rëndësishme kjo për komunat me shumicë shqiptare.
Kjo do të mundësonte që resurset natyrore lokale të shfrytëzohen në një mënyrë më të drejte dhe më direkte për të ardhurat dhe buxhetin e projekteve dhe pushtetit lokal në këto komuna.
Vlen të përmenden këtu çështjet e të drejtave të pronësisë dhe zbatimi i drejtë i ligjit të të mirave detare për Ulqinin, në atë formë që aplikohet edhe për komunat e tjera të bregdetit tuaj të mrekullueshëm.
Për sa i përket përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare, mendoj se mbishkrimet në vise me shumicë shqiptare mund të jenë edhe më të dukshme në gjuhën shqipe, ndërkohë që flamuri shqiptar mund të jetë i pranishëm në institucione shtetërore me seli në komuna me shumicë shqiptare, përkrah flamurit shtetëror kombëtar të Malit të Zi.
Duke marrë në konsideratë faktin që shqiptaret janë një pakicë nacionale specifike falë identitetit të tyre të veçantë, ky identitet kulturor që të ruhet dhe të çmohet si një pasuri kombëtare nga shteti malazez, si një element autokton i vendit tuaj.
Dua gjithashtu të bëj të qartë se kontributi i madh i shqiptareve të Malit të Zi në momentet tuaja vendimtare shtetformuese, si dhe mbështetja e plotë për proceset evropiane dhe euro-atlantike kanë qenë plot përkushtim dhe vendosmëri.
Ka patur dilema në të kaluarën për sa i përket statusit të komunës së Tuzit, si qendër e Malësisë. Por sot jam pak më i qartë edhe nga bisedimet që kemi zhvilluar, se Tuzi duhet të jetë komune e pavarur, por duke ruajtur edhe disa lidhje me Podgoricën për të synuar një zhvillim të sigurt social dhe ekonomik në të mirë të qytetarëve.
Njëkohësisht ju siguroj se jemi të ndjeshëm përsa i përket të drejtave dhe kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri, përfaqësimin e së cilës ne po e shikojmë të lidhur me përmirësimin e kuadrit ligjor në Shqipëri, në përmbushje edhe të detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian.
Ndaj i kam premtuar edhe Kryetarit të Parlamentit z. Pajovic si dhe interlokutorëve malazezë sot se së shpejti do të presim në Parlamentin tonë një përfaqësi të këtij komuniteti dhe do të përpiqemi të shohim objektivisht si të përmbushim kërkesat e tyre legjitime sipas standardeve më bashkëkohore evropiane në mënyrë që ata të ndjehen krenarë për identitetin e tyre kombëtar e kulturor.
Të nderuar deputetë te Parlamentit te Malit te Zi,
I tërë kontinenti evropian, po kalon përmes sfidash të forta ekonomike, sociale e politike.
Ne si politikanë kemi një përgjegjësi të veçantë në vendet tona respektive për ruajtjen e forcimin e stabilitetit dhe sidomos te sigurisë për popujt tanë në këto kohë të vështira.
Nuk duhet të harrojmë se në rajonin tonë të Ballkanit, të gjithë popujt e kombet diku janë shumicë, e diku janë pakicë. Ndaj e vetmja zgjidhje për të gjithë ne, është të zbatojmë të njëjtat standarde për pakicat dhe minoritetet në vendet tona.
Ndaj besoj se forca jonë e të ardhmes gjendet në zhvillimin e institucioneve demokratike, në heqjen e barrierave dhe në shmangien e paragjykimeve, të cilat sjellin konflikte, izolim e prapambetje.
Në këtë botë globale, konkurrenca nuk bëhet më mes fqinjëve por mes rajoneve, dhe vendet tona modeste duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm përmes bashkëpunimit dhe të bashkuar mund t’i fitojmë sfidat gjithnjë e më të vështira të së ardhmes.
Dua t’ju siguroj se fuqizimi i Malit të Zi si shtet demokratik, evropian dhe euro-atlantik është një interes kombëtar i yni, i shqiptarëve.
Ndaj duke u ndjerë i nderuar që flas në Parlamentin tuaj pikërisht një ditë përpara festës tuaj shtetërore të 13 korrikut, i uroj suksese Parlamentit të Malit të Zi, suksese popullit të Malit të Zi, i uroj suksese shtetit tuaj në rrugën e forcimit, të konsolidimit dhe të evropianizimit të mëtejshëm të tij.