Ministri Sveçla kritika aleatëve: Hezitimi i tyre solli Banjskën

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla lëshoi kritika ndaj aleatëve perëndimor, për të cilët tha se hezitimi i tyre ndaj Serbisë në disa raste agresioni në veri të Kosovës, i dha krahë Beogradit për të realizuar sulmin në Banjskë.

“Serbia është mësuar që të luajë rolin e viktimës qoftë dhe në rastin e Banjskës. Për mua si dikush që është rrit në Kosovë, por dhe që kam qenë në realitetin politik të saj, sjellja e Serbisë nuk është e befasishme. Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Europian.

Dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR. Në vend që Serbia të dënohej, iu vunë sanksione Kosovës.

Prandaj ndodhi dhe sulmi i Banjskës, pasi u toleruan disa ngjarje të mëparshme si rrëmbimi i policëve të Kosovës apo sulmet ndaj KFOR në veri. Ishte një sulm serioz 3 pjesëtarë të KFOR humbën gjymtyrët, dihet kush e dhanë urdhrin”, tha Sveçla.

Ministri i Brendshëm shtoi se tashmë partnerët i kanë të gjitha të dhënat për këtë ngjarje të rëndë dhe shtoi se Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e dënimit të vetëm Radoiçiç pasi ai sipas tij urdhërohej direkt nga presidenti Vuçiç. Sveçla shtoi se Milan Radoiçiç është në krye të trajnimit të grupeve terroriste dhe mund të ndërmarrë ndonjë tjetër sulm nëse merr urdhër.

SHKARKO APP