Ministri Sveçla: S’ka çtensionim me policë të rrëmbyer. Skema e grupeve kriminale po zbatohet në Leposaviç

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla thotë se qeveria koordinohet vazhdimisht me forcat e KFOR-it dhe Eulex-it në terren për çtensionimin e situatës, duke reduktuar numrin e efektivëve. Sveçla deklaroi po ashtu se skema e grupeve kriminale po zbatohet më së shumti në Leposaviç.

“Si po mendoni që këta kryetarë të zgjedhur ligjërisht do të mund të kryenin aktivitetet e tyre nga një lokacion tjetër prej godinave të komunës?! Ku do organizoheshin takimet me drejtorët, nënkryetarët. Mos të harrojmë shumica e drejtorëve dhe nënkryetarëve në këto komuna janë të etnisë serbe. Është e çuditshme se si kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut punon nga zyra dhe askush se pengon.

Vetëm në njërën nga komunat është problem, në Leposaviç. Në komunën e Zveçanit nuk e kemi kryetarin aty, por problemet vazhdojnë, komuna është e rrethuar aty kemi incidente të shkaktuara nga këto grupe.

Nga 4 komuna, skema nuk funksionon në një, pjesërisht funksionon në 2 dhe në njërën funksionon plotësisht. Të merremi dhe me të drejtën, a mund të vazhdojmë ne që të jemi viktimë e shantazhit të këtyre grupeve kriminale. Ne edhe në bisedimet me pjesëtarët e KFOR në terren dhe me Eulex kemi folur për çtensionim në kuptimin në reduktimin e policëve, në asnjë moment të kem më shumë policë se sa është e nevojshme, por nuk mund të ketë çtensionim kur ke policë të rrëmbyer, kur ke sulme të vazhdueshme ndaj gazetarëve në atë zonë”,-tha për ”Tv Klan”.

Për 3 policët e kapur nga forcat serbe, ministri u shpreh me bindje se ata kanë qenë 1 km brenda territorit të Kosovës. Deklaratën më të fundit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e menjëhershëm të efektivëve, Sveçla e cilësoi të duhur.

SHKARKO APP