Mogherini flet në Parlamentin e Maqedonisë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian dhe zëvendës-presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Shkup, mbajti një fjalim para deputetëve të parlamentit. Ajo theksoi arritjet e Maqedonisë në muajt e kaluar, ndërsa tha se në radhë janë sfidat e reja për thellimin dhe zbatimin e reformave.

“U kthyet në rrugën e duhur, aty ku duhet të jeni; Me një rekomandim të qartë, të pastër, pozitiv dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”, tha zyrtarja e lartë evropiane.

Ajo tha se kur i bie ndër mend situata para një viti në këtë parlament, dhe si është sot, janë bërë shumë përparime;

“E kaluat krizën më të keqe politike dhe institucionale me të cilën jeni përballur ndonjëherë dhe tash jeni kthyer plotësisht në rrugën e duhur”, u shpreh ajo, duke e quajtur një arritje me të cilën Maqedonia duhet të krenohet.

Ajo e quajti raportin pozitiv dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen e bisedimeve, një arritje jo vetëm për qeverinë por dhe për të gjitha institucionet e Maqedonisë, parlamentit, pushtetit lokal, shoqërisë civile, e sidomos të qytetarëve të këtij vendi.

Zonja Mogherini përkujtoi qeverinë se e ka për detyrë t’i lërë hapësirë opozitës për pjesëmarrje në krijimin e politikave, ndërsa opozitës se ka përgjegjësi që të përfshihet dhe të kontribuojë në mënyrë konstruktive.

“Së bashku në mënyrë kolektive në institucionet demokratike keni përgjegjësi t’i identifikoni interesat kombëtarë dhe përparësitë për të gjithë qytetarët”, tha ajo, duke nënvizuar edhe nevojën për bashkëpunim dhe arritje të rezultateve.

“Atë që keni bërë, është mbresëlënëse, për reformat në veçanti, kjo është shenja më e fuqishme e pjekurisë”, theksoi zonja Mogherini duke përshëndetur kthimin e opozitës maqedonase në punimet e parlamentit.

Autoritetet qeveritare në Shkup nuk e kanë fshehur kënaqësinë pas rekomandimit të Komisionit Evropian, ndërsa zonja Mogherini i porositi: “festoni një gjysëm dite, pastaj përvishjuni punës!”

SHKARKO APP