Në Serbi nis botimi i një gazete ruse!
Gazeta ruse Argumenty and Fakty ka nisur të botohet edhe në Serbi, me staf gazetarësh nga e përjavshmja nacionaliste Pecat dhe e botuar nga e njëjta kompani.
Gazeta ruse Argumenty i Fakty hyri në skenën mediatike serbe javën e kaluar me artikujt mbi Kremlinin, që kritikojnë Perëndimin dhe mohojnë akuzat për përfshirjen e Moskës në rastin e helmimit të Skripal Sergei.
Botuesi i gazetës Milorad Vuceliç, themeluesi i të përjavshmes nacionaliste Pecat, nuk u arrit dot për një koment, por kryeredaktori i Argumenty i Fakty Sasa Francisti paraqiti politikat editoriale në një letër për lexuesit e saj.
“Për shekuj me radhë neve në Serbi na ka ardhur keq që nuk kemi pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Tani më në fund e kemi dhe nëpërmjet projektit Argumenty i Fakty Serbia, ne po krijojmë një lidhje mes dy vendeve,” shkroi Francisti.
Francisti, i cili është gjithashtu redaktor i botimit online të Pecat, tha se AiF do të përdorë argumente dhe fakte për të edukuar serbët dhe për ta sjellë më afër Rusinë dhe Serbinë.
Numri i parë i përmuajshëm i gazetës, i cili doli më 4 prill, u njoftua nga ambasadori rus në Beograd, Alexandar Chepurin, nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Twitter.
Gazeta botoi në faqen e saj të parë një intervistë me Chepurin, të titulluar “Të gjithë është më mirë të jenë miq me Rusinë”, ilustruar nga një foto-montazh i famshëm i presidentit rus Vladimir Putin ku shfaqet hipur mbi një ari.
Pjesa më e madhe e përmbajtjes përbëhet nga opinione dhe të vetmet që përfaqësohen janë qëndrimet pro-Kremlini dhe anti-Perëndimore.
Një opinion i shkruar nga kryeredaktori Francisti me titull “Puthja helmuese e Perëndimit” lavdëron miqësinë midis sllavëve ndërkohë që akuzon Perëndimin për hipokrizi.
“Miqësia në Perëndim është një kategori e kufizuar nga interesi personal, egoizmi, mospërfillja, padrejtësia, hipokrizia dhe gënjeshtra,” shkroi Francisti.
Një pjesë e madhe e gazetës i kushtohet hedhjes poshtë të akuzave për përfshirjen e Rusisë në helmimin e Sergei Skripal, një ish-zyrtari të inteligjencës ruse, dhe vajzës së tij, Yulia, në Angli.
Një intervistë për Rusofobinë që prek gjithashtu çështje Skripal pyet: “Pse Rusofobët në Serbi e përbuzin vendin e tyre?”
Gazeta gjithashtu ofron një artikull nga një ministër pro-rus në qeverinë serbe, Nenad Popoviç, kushtuar mbështetjes së Putinit për Serbinë në lidhje me çështjen e pavarësisë së Kosovës.
Argumenty i Fakty është shtesa e fundit në grupin e mediave pro-Kremlinit në Serbi dhe Ballkan, gjë që një raport i kohëve të fundit zbuloi se ishte më i ndjeshmi në Europë për të ashtuquajturat “lajme të rreme”.
Argumenty i Fakty u shtyp edhe në Mal të Zi në vitin 2011 në kulmin e bumit të biznesit rus në vend. Ajo u mbyll në vitin 2015, bashkë me një numër malazez të një tjetër gazetë popullore ruse, Komsomolskaya Pravda.
Fillimisht e themeluar në vitin 1978, Argumenty i Fakty tani është në pronësi të Promsvyazbank, një bankë private nga Moska.
Në faqen e saj zyrtare ruse në internet, Argumenty i Fakty mburret se është “gazeta e përjavshme më e madhe dhe më popullore në Rusi” dhe thotë se ajo “udhëheq shtypin ruse jashtë vendit”.
Sipas një shqyrtimi të BBC, Argumenty i Fakty qarkullonte më shumë se 33 milionë kopje në vitin 1990, por lexuesit e saj kanë rënë ndjeshëm që atëherë. BIRN