Operacione nën dritën e qiriut

Doktorët dhe stafi mjekësor i spitalit të Sarajevës kujtojnë si shpëtuan më shumë se 50,000 njerëz gjatë rrethimit më të gjatë në historinë moderne, pavarësisht mungesës së energjisë elektrike dhe furnizimeve mjekësore.

Nga Dzana Brkanic, BIRN

“Unë u operova në recepsion, sepse salla e operacionit ishte e zënë. Ata punuan me anestezi lokale, e cila është shumë në rregull derisa ata prekin kockën. Kur prekën kockën, dhimbja ishte e padurueshme.”

Muamer Sijerciç ishte një nga dhjetëra mijëra njerëzit që u plagosën gjatë 1,425 ditëve të rrethimit të Sarajevës, kur banorët e kryeqytetit boshnjak iu nënshtruan një fushate granatimesh dhe sulmesh me snajper nga forcat serbe, e cila zgjati tre vjet e gjysmë.

Si shumë të tjerë, ai i detyrohet për shërimin e tij mjekëve dhe personelit mjekësor të cilët punuan pa pushim në tri spitale në Sarajevë pa energji elektrike, ushqim, ujë dhe rezerva të rëndësishme gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.

Vetëm në spitalin e përgjithshëm “Abdulah Nakas”, mjekët dhe personeli mjekësor realizuan 13,000 ndërhyrje urgjente mjekësore gjatë asaj kohe. Ish-klinika lokale në Dobrinja u shndërrua gjithashtu në një spital, ndërkohë që operacione të tjera u kryen në qendrën klinike në Kosevo.

Edhe pse druheshin për jetët e të afërmve të tyre, mjekët shpesh ndenjën me ditë pa shkuar në shtëpi dhe në vend të kësaj e kalonin kohën duke menduar për mënyra sesi t’u shpëtonin jetën bashkatdhetarëve të tyre.

Youssef Hajira, një mjek nga klinika në Dobrinja, kujton se si operacionet e para pas fillimit të luftës u kryen nën dritën e qiriut, duke përdorur mjete dentistësh, sepse nuk kishte pajisje kirurgjikale.

“Disa mjekë, infermierë dhe një ekip teknikësh mjekësorë – e kam fjalën për 7ose 8 persona – mbanin qirinj ndërsa unë ndaloja hemorragjinë me duar. Thjesht u përpoqa të shpëtoja jetë,” tha Hajira.

Sadeta Derviseviç, një infermiere nga spitali në Dobrinja, tha se ndonjëherë prerjet e gjymtyrëve janë bërë pa anestezi.

“Më kujtohet një pacient që humbi një gisht dhe një vesh. Gishti dridhej nga bisturia e lodhur, sepse nuk i bënim dot një prerje të pastër. Të prisje një vesh pa anestezi ishte e pa mendueshme, por ne punuam pa të,” tha Derviseviç.

Dunja Galineo-Kajeviç ishte një nga tetë fëmijët e plagosur nga një granatë e qëlluar nga forcat serbe të Bosnjës pranë ndërtesës së saj në Dobrinja më 4 shtator 1992.

Pasi mori ndihmën e parë, ajo u transferua në spitalin në Kosevo për të kuruar një plagë në shpinën e saj. Rruga nga Dobrinja në Kosevo ishte e rrezikshme, sepse rruga kalonte përgjatë asaj që njihej si “Lugina e snajeprëve”, bulevardit kryesor në Sarajevë, i cili ishte rregullisht nën shënjestrën e snajperëve të serbëve të Bosnjës.

Gelineo-Kajeviç se shprehja e fytyrës se doktorëve i treguan asaj gjithçka që duhet të dinte në lidhje me gjendjen e saj.

“Isha e trullosur, por isha e vetëdijshme. Ata na zbritën para urgjencës dhe u treguan të kujdesshëm,” kujton ajo, duke shtuar se ajo ç‘ka mban mend më mirë është era e spitalit, i cili në atë kohë nuk pastrohej dot si duhet, sepse nuk kishte mjaftueshëm ujë.

Faruk Kulenoviç, një mjek i cili punoi në klinikën e traumës në Sarajevë, tha se kishte raste kur kishte më shumë se 50 pacientë dhe gjithçka ishte e mbuluar në gjak. Kjo gjë duhej të pastrohej disi para se të mbërrinin viktimat e ardhshme.
Në dimrin e vitit 1993, kur nuk kishte energji elektrike, operacionet janë kryer në temperatura minus 19 gradë Celsius, risjell në mendje Kulenoviç.

“Dimri i vitit 1993 ishte më i vështiri. Zgjohesha në të ftohtë, flija në të ftohtë, punoja në të ftohtë,” tha ai.

Mungesa e ujit, energjisë elektrike dhe ngrohjes ishte gjithashtu problemi më i madh edhe për spitalin e përgjithshëm, tha mjeku Suhrija Djoziç.

“Improvizuam gjithashtu një bateri, e cila furnizonte dritat në sallën e operacionit. Natën punonim me dritë qiriu,” tha Djoziç.

Gjatë kohës së luftës, rreth 80 për qind e plagosjeve ishin nëpër gjymtyrë, por me kalimin e kohës, fiksuesit e emergjencës, të cilët shërbenin për të mbajtur bashkë mishin me kockën në viktimat e plagosura rëndë, mbaruan.

Mjekët Djoziç dhe Raib Saliefendiç, së bashku me inxhinierin Enes Baraliç, improvizuan një fiksues, i cili u përdor në Sarajevë dhe qytete të tjera gjatë kohës së luftës.

Fiksuesit “Sarafix ” u shpërndanë me biçikleta në spitale në të gjithë qytetin. Ata përfunduan duke fituar çmime risie në Bruksel dhe Gjenevë – si edhe u shpëtuan gjymtyrë vetë njerëzve në Sarajevë, risjell në mendje Djoziç.

“Një vajzë rreth 7-8 vjeçe erdhi tek unë. Ajo ishte programuar t’i pritej një gjymtyrë. Kishte pothuajse moshën e sime bije,” tha doktori. nga shtatë “Luftova shumë që t’i shpëtoja këmbën. I vendosa tre fiksues në një këmbë, por arrita t’ia shpëtoja.”

Gjatë luftës, mjekët e Sarajevës punonin në turne me nga 24 orë, por nëse ndodhte ndonjë masakër, të gjithë dilnin në punë.

“Ndonjëherë në spital sillnin të plagosur dhe ne shikonim nëse mund të dallonim fëmijët tanë nga këpucët ose xhupat,” tha infermierja Derviseviç.

Përveç të gjitha problemeve të tjera me të cilat duhej të përballej stafi mjekësor, ishte edhe bombardimi nga forcat serbe të Bosnjës.

Klinika e traumës në Sarajevë u godit 25 herë, sipas Kulenoviçit. Kur fillonte zjarri ndaj saj, doktorët i çonin pacientët nëpër bodrume për t’i mbrojtur.

Djoziç rikujton sesi një pacient i ri ishte plagosur ndërsa rrinte shtrirë në shtratin e tij në spital.

“Diçka e goditi dhomën. U mblodha dhe pacienti bërtiti: “Doktor, jam plagosur!” Vrapova menjëherë në sallën e operacionit dhe e shpëtova,” tha Djoziç.

Më shumë se 5,000 civilë u vranë gjatë rrethimit të Sarajevës dhe shumë të tjerë u mbetën me aftësi të kufizuara të përhershme.

Njëri prej tyre, Sadik Bazdareviç, kujton se si u plagos në kodrën Mojmilo mbi qytet dhe u dërgua në spitalin e përgjithshëm.

“Ishte goditur arteria kryesore. Këmba ime ishte e përkulur në një këndë të pazakontë dhe filloi të bëhej blu. Doktor Abdulah Nakas më pa dhe tha se duhet të isha i pari që do të operohej të nesërmen. Ata më operuan, por nuk mund t’i pastronin të gjitha. Nuk mbaj mend shumë tjetër,” tha Bazdareviç.

Kur u zgjua, ai zbuloi se këmba e tij ishte prerë. “Nakasi më tha se kishte luftuar shjumë për jetën dhe jo për këmbën time,” tha ai. Pavarësisht kësaj, ai tha se i ishte përjetësisht mirënjohës që kishte arritur t’i shpëtonte jetën.

Mes kushteve të dëshpëruara, personeli i spitalit gjithashtu bëri atë që mundi për t’i mbajtur sa më komod pacientët e tyre. Pasi mori veten nga operacioni që kreu vetëm me anestezi lokale, Muamer Sijerciç ende e mban mend se çfarë i solli saktësisht një infermiere për të ngrënë.

“Ishte një picë e vërtetë me djathë, proshutë, djathë Gouda ose Edam dhe salcë domateje,” tha ai.

“Mendoj se ajo është pica më e mirë që kam ngrënë ndonjëherë.”

SHKARKO APP