Osmani me Stoltenberg: Nëse Serbia nuk përballet me sanksione, mund të cenojë sërish sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg që të ndëshkohet Serbia për aktin e agresionit ndaj Kosovës, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Pas takimit me Stoltenberg, Osmani tha se nëse Serbia nuk përballet me masa ndëshkuese, mund të cenojë sërish sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“Duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë më 29 maj dhe 24 shtator. Në vend se të ekstradojë terroristët vazhdon t’i mbështesë ata. Pata paralajmëruar se nëse sulmuesit e trupave në maj që udhëhiqeshin nga bandat kriminale do përfundonin pa dënuar do t’i inkurajonte të përsërisnin sulmet në shkallë më të madhe.

Janë po të njëjtit njerëz që sulmuan NATO-n, e që sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator. Nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë për këto sulme të vazhdueshme do të inkurajohej të sulmojë sërish Kosovën dhe të ta destabilizojë Ballkanin. Roli i NATO-s në këtë drejtim është vendimtarë pasi Serbia mbetet kërcënim për paqen në rajonin tonë”, u shpreh presidentja.

SHKARKO APP