Parlamenti malazez miraton anëtarësimin në NATO, opozita s’e njeh!

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar zyrtarisht anëtarësimin e vendit në NATO.

Vendimi vjen ndërkohën që më herët, Uashingtoni i hapi rrugë anëtarësimit. Deputetët malazezë miratuan me 46 vota pro, që Mali i Zi të bëhet vendi i 29 i Organizatës më të madhe politiko-ushtarake në botë.

Deputetët e opozitës pro-ruse bojkotuan seancën parlamentare, ndërsa qindra protestues u mblodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit për të kundërshtuar vendimin, duke shprehur pakënaqësinë e tyre.

Protestuesit thërrisnin “Tradhti dhe “Hajdutë”, ndërsa mbanin një flamur ku shkruhej se “vrasës të NATO-s, duart tuaja janë me gjak”.

Ata djegën gjithashtu një flamur dhe u shpërndanë më pas në mënyrë paqësore.

Ndërkohë, liderët e opozitës njoftuan se nuk do të njihnin rezultatet e votimit parlamentar dhe do të thërrisnin një referendum mbi çështjen nëse ata do të vinin në pushtet në të ardhmen, raporton Reuters.

“Ndihem i turpëruar, sepse të tjerët po marrin një vendim në emrin tim,” i tha Reuters ish-presidenti malazez Momir Bulatoviç. “Ajo që po ndodh tani është triumf me forcë dhe gënjeshtra!”

SHKARKO APP