Përvjetori i masakrës së Rahovecit, Presidentja Osmani: Nuk do të heshtim, jo paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në 24-vjetorin e masakrës, në Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit. Osmani ka lartësuar figurat e gjithë të rënëve për liri, duke i quajtur frymëzim për të gjithë popullin.
“Sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i tyre të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e të dorëzohemi në kërkim të drejtësisë për jetët e pafajshme.
Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë.
Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës tonë dhe ky rrëfim ende nuk ka mbaruar. Ideja e intelektualit, Ukshin Hoti ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.
Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë, duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndërtojmë të ardhmen mbi respektin që kemi për gjithë ata që dhanë jetën për liri”, është shprehur Osmani.