Podgoricë, vijon procesi kundër personave të akuzuar për grusht shteti

Procesi gjyqësor kundër 14 personave të akuzuar për puç për përmbysjen e qeverisë së Malit të Zi dhe për ta mbajtur këtë vend jashtë NATO-s, vazhdon sot në Podgoricë.

Autoritetet shtetërore të Malit të Zi thonë se nacionalistët serbë dhe rusë kanë bërë komplot për ta okupuar parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, për ta vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviç, dhe për të instaluar udhëheqje proruse për ta ndalur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ndër të akuzuarit janë edhe ligjvënësit opozitarë të partisë, Fronti Demokratik, Andrija Mandiç dhe Millan Knezheviç, pastaj nëntë shtetas të Serbisë dhe dy rusë, kundër të cilëve procesi po zhvillohet në mungesë.

Podgorica thotë se “trupat shtetërore ruse” ishin të involvuara në puçin e dyshuar, por Rusia e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Më 5 qershor, Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, duke shënuar kthesë historike kah aleanca transatlantike, përkundër protestave nga Rusia dhe opozita politike në Mal të Zi./REL/

SHKARKO APP