Premtimi i Mogherinit – “Pas Brexit, integrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor”
Pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, Brukseli do të vijojë me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.”
Deklarata erdhi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtëme, Federica Mogherini, e cila tha se nuk preferon t’a quajë këtë proces ‘zgjerim të bllokut’, por ribashkim të Europës. Sipas Mogherinit, BE ka ndihmuar edhe në kurimin e plagëve të Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtëme, Federica Mogherini, ka deklaruar se dalja e Britanisë nga unioni nuk do ta dobësojë bllokun europian, por përkundrazi, Brukseli do të vijojë me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për prestigjozen italiane ‘La Stampa’, shefja e diplomacisë europiane nënvizoi se këto vende e kanë shprehur aspiratën e tyre për antarësim në Bashkimin Europian dhe se procesi do të vazhdojë më tej.
“Jam e sigurt se e ardhmja e unionit nuk do të ndalet në shifrën e 27 anëtarëve, pasi ne do të kemi anëtarësime të reja. Kur them këtë, marr për bazë procesin e anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shumë persona e kanë cilësuar këtë proces si ‘zgjerim’, por unë preferoj që t’a quaj ‘ribashkim i Europës’.”
Më tej, Mogherini foli edhe për ndasitë që ekzistojnë mes vendeve ballkanike.
“Besoj se vendet e Ballkanit, falë marëdhënies që kanë me BE-në, kanë arritur që të kurojnë plagët e 20 viteve më parë. Ky udhëtim është i gjatë dhe i lodhshëm dhe rruga mund të mos jetë gjithmonë e drejtë. Por, unë jam e bindur se rruga do të vazhdojë dhe kjo falë faktit se çdo vend i Ballkanit ka një perspektivë të përbashkët, që është Bashkimi Europian.”
Në mbyllje, Mogherini, tha se zgjedhjet në Francë treguan se projekti i Bashkimi Europian do të vijojë edhe në të ardhmen.