Presidenti i ri, Gjukanoviç largoi Malin e Zi nga ndikimi rus
Nëse Milo Gjukanoviçi është diçka, ai është një mbijetues. Zgjedhjet e kësaj të diele e rikthyen në krye të shtetit duke bërë që në një formë apo një tjetër, ta qeverisë Malin e Zi prej gati 3 dekadash. Një rekord, thotë “The Times”, që do të ngjallte zilinë e vetë Vladimir Putin apo Aleksandër Lukashenkos së Bjellorusisë.
Ishte pikërisht ky njeri që e largoi vitet e fundit Malin e Zi nga aleanca tradicionale e ngushtë me Rusinë. Nga këtu përligjen akuzat e tij për Moskën dhe përfshirjen e saj tentativën e grushtit të shtetit ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare në tetor 2016.
Podgorica i ka mbështetur të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë, që vazhdon ta mohojë përfshirjen në atë ngjarje. Gjukanoviç mbetet në thelb një figurë polarizuese, jo vetëm brenda kufijve të vendit të vet, por edhe në plan ndërkombëtar.
Rezultati i votimeve të së dielës i jep një goditje të fortë grupeve pro-ruse që iu kundërvunë ashpërsimit anëtarësimit në NATO në 2017-tën.
Presidenti i përjetshëm, siç e quajnë mediat gjermane, ka pasur pjesën e vet të stuhive, nga luftërat e përgjakshme të viteve 1990 tek kundërshtimi ndaj Slobodan Millosheviçit e më pas akuzave nga Italia dhe Gjermania për kontrabandë të madhe cigaresh.