Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta pritet nga presidenti maqedonas Ivanov

Kreu i shtetit, Ilir Meta po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Maqedoni. Presidenti Meta është takuar me drejtuesit kryesor të shtetit të Maqedonisë, si dhe me krerët e partive shqiptare.

Në takimin dhe konferencën për shtyp  me homologun maqedonas, Gjorge Ivanov, Presidenti Meta ka theksuar nevojën e transparencës për rastin e Kumanovës, ku 33 shqiptarë janë dënuar për konfliktin e ndodhur në Lagjen e Trimave, dy vite më parë.  Familjarët e personave të dënuar në Kumanovë pretendojnë se procesi ndaj tyre ka qenë i montuar politikisht dhe janë dënuar për shkak të përkatësisë etnike.

Presidenti Meta tha se nuk mund të ndërhyjë në sistemin gjyqësor të Maqedonisë, por shpreson se fazat e mëtejshme të gjykimit të këtij rasti do të jenë transparente dhe në përputhje me standardet europiane. “Nuk mund të ndërhyjë në sistemin gjyqësor të Maqedonisë. Shpresoj se fazat e tjera të gjykimit të ‘Kumanovës’ do të jenë sa më transparente. Autoritet e Maqedonisë më konkretisht të gjyqësorit do të jenë të interesuar për të demonstruar për standarde europiane përderisa edhe synojnë BE-në dhe NATO-n”,- tha Presidenti Meta.

Në konferencën e përbashkët me homologun Ivanov, Presidenti Meta tha se Shqipëria angazhohet për respektimin e komuniteteve të pakicës, identitetin dhe kulturën e tyre. “Qeveria dhe parlamenti i Shqipërisë treguan fleksibilitet dhe tolerancë maksimale në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë se do të inkurajojmë veprime të cilat nuk janë të përshtatshme me realitetin në Shqipëri rreth pakicave”,  deklaroi Meta. Ai theksoi se personalisht do të angazhohet për mbështetjen e komunitetit maqedonas në Shqipëri. “Ne krenohemi me vlerat e jashtëzakonshme të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe unë e kam siguruar presidentin Ivanov se gjatë mandatit tim do të jap mbështetje për këtë komunitet etnik me qëllim të përforcimit të identitetit dhe pozitës së tyre sepse ata paraqesin vlerë të vërtetë për vendin tonë”, tha Meta. Në pyetje të gazetarëve, Ivanov dhe Meta konfirmuan se në takim u bë fjalë edhe për kryebashkiakun e Pustecit, Edmond Temelko i cili është në paraburgim në Maqedoni. Ivanov me këtë rast theksoi se ka transmetuar në Qeveri se gjendja shëndetësore e Temelkos është e rënduar dhe se vihet në pikëpyetje, siç tha, nëse do të mundet që ta mbijetojë këtë proces gjyqësor. Edhe presidenti shqiptar Meta e shprehu shqetësimin e tij sepse, siç tha, bëhet fjalë për shtetas të Shqipërisë. “Secili shtetas duhet t’i respektojë ligjet e shtetit të vet.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov pas takimit me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta tha se gjatë takimit kanë biseduar për realitetin në Ballkan, nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe nevojat e përbashkëta që i kanë të dyja vendet, transmeton Express.

“Tani presim që Shqipëria ta ndihmojë Maqedoninë drejt NATO-së dhe të ndihmoj në marrjen e ftesës për anëtarësim. Në lidhje me BE-në tërë përvoja tonë ja vëmë në dispozicion gjatë këtij rrugëtimi. Në lidhje me afrimin e popujve dhe bizneseve është i nevojshëm investim në koneksionin mes dy vendeve, sepse shkëmbimin tregtar që i kemi nuk kënaq nevojat. Arsyetimi që e shprehin afaristët është mungesa e koneksionit, sidomos e lidhjes hekurudhore dhe qasja në portin e Durrësit. Folëm që të gjendet zgjidhje që të rritet lidhja mes dy vendeve”, tha Ivanov gjatë konferencës për shtyp.

Ivanov shtoi se së bashku kanë konstatuar se “faktori që na lidh më së shumti dy vendet janë maqedonasit në Shqipëri dhe shqiptarët në Maqedoni.“ Kam shprehur mirënjohje për angazhimin e presidentit Meta në lidhje me qëndrimin dhe kujdesin për komunitetin maqedonas në Shqipëri me qëllim të avancimin e pozitës së tyre”, shtoi Ivanov.

Presidenti Gjorge Ivanov në pyetjen se a do të nënshkruajë dekretin e ligjit për gjuhën shqipe deklaroi se do të prononcohet për ligjin për gjuhët pasi ta marrë në dorë për nënshkrim, transmeton Express. “Me vëmendje po ndjekim procesin e miratimit të ligjit për gjuhët unë dhe kabineti i im. Kur do të vijë ligji te unë për nënshkrim, atëherë do të prononcohem. Vendimi im do të jenë p bazuar në kushtetutën dhe ligjet e vendit”,- tha Ivanov.

Meta takon Talat Xhaferin: Shqiptarët, faktor i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryetarin e Asamblesë,  Talat Xhaferi. Presidenti Meta e uroi edhe njëherë zotin Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe.

Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Presideti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm, ku ndodhet Maqedonina dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.

Meta takon Zaev: Marrëdhëniet e mira ndër-etnike, stabilitet për rajonin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryeministrin e Maqedonisë,  Zoran Zaev.

Presidenti Meta e uroi Kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të Qeverisë së re për përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe të krijimit të një marrëdhënie sa më pozitive me vendet fqinje.

Marrëdhëniet e mira ndër-etnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit, u shpreh Presidenti Meta.

Edhe në takimin me Kryeministrin Zaev, Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euroatlantike të të dy vendeve.

Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë vitit 2018, si dhe e siguroi Kryeministrin Zaev mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm.

Në këtë kuadër Presidenti Meta theksoi se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme. Ata shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy Qeverive, në Pogradec, do adresohen të gjitha këto çështje që lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e gjithëanshëm mes dy vendeve.

SHKARKO APP