Presidentja Osmani takim me Stoltenberg në selinë e NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s. Vjosa Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral. Më pas pritet një konferencë të përbashkët për mediat.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe do të realizojë takime me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.
“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.