Presidentja Osmani uron qytetarët: Kemi një të ardhme premtuese, vizioni i qytetarëve është testuar sfidë pas sfide

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehet optimiste për të ardhmen e vendit, përmes mesazhit drejtuar qytetarëve. “Pavarësisht sfidave që na kanë përcjellë ndër dekada ne kemi dëshmuar se jemi një popull shpresëplotë e i përkushtuar për ditë më të mira e një të ardhme më të ndritur”, ka thënë Osmani.

Osmani i fton qytetarët e Kosovës të reflektojnë për sfidat me të cilat përballet shoqëria dhe vendi, sfida të cilat duhet të kapërcehen kolektivisht. Për të kemi një të ardhme premtuese e ditë më të mira, sepse qëndresa dhe vizioni i qytetarëve është testuar e dëshmuar sfidë pas sfide.

”Edhe pak e kalendari ynë do të shënojë një Vit të Ri. Kjo është një mundësi e re e një shans i ri për të bërë më shumë, për të punuar më shumë, për të ndryshuar atë çfarë mendojmë se mund e duhet bërë më mirë.

Besoj fort se përpara e kemi një të ardhme premtuese e ditë më të mira, sepse vullneti, qëndresa dhe vizioni i qytetarëve tanë është testuar e dëshmuar sfidë pas sfide e vit pas viti. Uroj që ky Vit i Ri të jetë vit i shpresës, por mbi të gjitha, uroj të jetë një vit i veprimit.

Një vit ku do të veprojmë bindshëm e me përkushtim në çdo drejtim për të arritur synimet tona të përbashkëta, për të avancuar gjithnjë e më shumë demokracinë dhe ekonominë tonë, e për të konsoliduar gjithnjë e më tepër prezencën dhe imazhin tonë në çdo cep të botës”.

SHKARKO APP