Protesta në Mitrovicë dhe Graçanicë, serbët: Kosova të ndalë dhunën, ose do të reagojmë

Qytetarët serbë protestuan këtë të martë në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë. Përmes asaj që e quajtën “Deklarata e Vidovdanit”, e lexuar nga zyrtarët e Listës serbe, komuniteti serb pretendon së është i ekspozuar nga dhuna në Kosovë.

Në deklaratën e tyre thuhet se nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që u dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”, siç pretendohet.

“Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’i përgjigjemi të gjithë atyre të cilët na duan të keqen, të cilët ëndërrojnë luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona”.

Tensionet në veriun e Kosovës mbeten të larta, dhe një sulm me granata dore u raportua në orët e vona të së hënës kundër objektit të komunës në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë sulmi shkaktoi dëme materiale në automjetet zyrtare.

SHKARKO APP