Pse Kurti-Vuçiç nuk u takuan në Paris? Zykaj zbulon prapaskenat: Shkak propozimi franko-gjerman
Edhe pse ishin pranë njëri-tjetrit në “Forumin e Paqes” në Paris, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç nuk patën një takim, kjo për të ulur tensionet e ndezura në veri të Kosovës. Gazetarja Erisa Zykaj tregoi në emisionin “Ballkan” se çfarë ndodhi. Për të nuk pati sinjale të qarta nga dy vendet për një zgjidhje, prandaj kjo ishte dhe arsyeja pse presidenti Macron nuk e bëri këtë takim trilateral.
Pse nuk pati një takim mes tyre?
Zykaj: Kjo nuk ka ndodhur. Nuk kemi informacione të ketë ndodhur. Por nuk do të thotë se nuk ka patur tentativë mes delegacioneve të dy palëve dhe shkëmbim informacioni.
Pse nuk ndodhi?
Zykaj: Ka disa arsye, forumi ka në fokus paqen, si zgjidhen krizat në botë. Por nga të dyja delegacionet nuk ka ardhur një “PO” të fortë për propozimin franko-gjerman.
Ne dimë që Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman është një bazë e mirë. Ndërsa Vuçiç ka thënë sot se ka shkuar me një propozim të vetin.
Zykaj: Kjo mund të jetë dhe një nga arsyet pse nuk u zhvillua një takim liderësh, pasi duhet të kishte një sinjal se dy vendet janë dakord për të lëvizur, këtë sinjal nuk e ka dhënë Serbia. Ne kemi një hapje nga Albin Kurti që kjo është një bazë e mirë, me anë të kësaj deklarate ka lënë idenë se ne jemi dakord. Por nuk kemi patur këtë sinjal nga Serbia. Macron do e kishte mbajtur këtë takim nëse do të kishte një lajm të mirë. Ne jemi mbushur me raunde negociatash që kanë përfunduar pa sukses.