Putin vizitë në Serbi. Daçiç: Rusia garanton territorin tonë

Ministria e Jashtme e Serbisë njofton se pritet që në Beograd të zhvillojë një vizitë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në takimin e zhvilluar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Chepurin.

Ministria serbe njofton se në takim është folur për marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe për vizitën e pritshme të presidentit rus në Beograd. Nuk ka një datë të përcaktuar për vizitën e Putin në Serbi, por sipas mediave serbe ajo pritet të zhvillohet në vjeshtën e këtij viti.

Vizita vjen në momentin kur në Bruksel, në muajin shtator do të diskutohet për gjetjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

Në takimin me ambasadorin rus, Daçiç ka falenderuar Kremlinin për “mbështetjen që i jep Serbisë në ruajtjen e integritetit territorial të saj”.

Ndërkohë në Serbi po pritet me shumë interes vizita e Maria Zakharova, zëdhënëse zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Ka qenë vet Daçiç që e ka dhënë lajmin për këtë vizitë duke e cilësuar si të rëndësishme. Zakharova do të jetë në serbi në kuadër të një festivali muzikor që zhvillohet në qytetin e Guca të Serbisë.

SHKARKO APP