Që nga 1 korriku, Mali i Zi ndalon makinat më të vjetra se 15 vjet
Në Malin e Zi, nga 1 korriku do të ndalohet importi i makinave më të vjetra se 15 vjet. Mosha mesatare e një automjeti në Mal të Zi është rreth 17 vjet, sipas të dhënave të ekspertëve në vend. Ndërkohë sipas hulumtimeve të bëra, kufiri kritik i moshës së automjeteve pas të cilit rriten pasojat e aksidenteve në trafik është 15 vjet. Dhe pothuajse dy të tretat e automjeteve në Mal të Zi janë më shumë se 15 vjeç.
Duke sqaruar ndalimin e importit të makinave të vjetra, Ministria e Transportit tha se automjetet e përdorura të importuara, nga korriku do të kenë karakteristika më të mira të sigurisë dhe teknike, gjë që do t’i bëjë më të sigurta. Si reagim ndaj këtij vendimi, importi i makinave të përdorura u rrit në mënyrë dramatike.
Në tre muajt e parë të këtij viti janë importuar 35 % më shumë makina se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, rritja e importeve ka kaluar 100 %, sipas të dhënave të drejtorisë doganore.
Mali i Zi, numëron më shumë makina për frymë në mesin e vendeve të rajonit, sipas të dhënave të zyrës europiane të statistikave, Eurostat. Në vendin me pak më shumë se 630 mijë banorë janë të regjistruara rreth 285 mijë automjete, nga të cilat 242 mijë automjete pasagjerësh. Përveç dy të tretave të atyre më të vjetra se 15 vjet, rreth një e dhjeta janë makina të prodhuara midis 1979 dhe 1999.
Në tre vitet e fundit, Mali i Zi ka importuar rreth 51.500 makina të përdorura, sipas të dhënave nga Drejtoria doganore. Vlera e tyre është më shumë se 270 milionë euro. Më shumë se dy të tretat, rreth 35.000, kanë ardhur nga vendet e Bashkimit Europian.
Në pesë vitet e fundit numri i aksidenteve në trafik është rritur për gati 30%. Vetëm në vitin 2023 është rritur me gati 16 % krahasuar me vitin 2022. Po ashtu është në rritje është dhe numri i viktimave. Pra, në vitin 2023, ky numër është rreth 4.5 % më i lartë se një vit më parë.
Dorina Kurtaj / SCAN