Qeveria e re, Ali Ahmeti më afër Nikolla Gruevskit
Partia e Ali Ahmetit duket se po përgatit terrenin për të krijuar koalicion të ri qeveritar me partnerin e deritanishëm Nikolla Gruevskin. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani nga Uashingtoni ka thënë se gjatë formimit të qeverisë së re duhet të respektohet parimi “fituesi me fituesin” që nënkupton se kabineti i ri qeveritar duhet të krijohet nga partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptarë, e që në këtë rast janë VMRO-ja dhe BDI-ja. Zëdhënësi i integristëve këtë qëndrim për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 dhjetori e ka shpalosur gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ku ka akuzuar mediat se po ushtrojnë presion që ky parim të mos respektohet.
“Në të kaluarën Maqedonia ka ekzistuar si e mirëqenë vetëm duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare. Një prej atyre është marrëveshja e quajtur Marrëveshja e Majit të vitit 2007, ku thuhet se fituesi i komuniteti shqiptar përzgjedh partnerin fitues të komuniteti maqedonas. Respektimi i këtij parimi është shumë i rëndësishëm për ruajtur rëndësinë që ka komuniteti shqiptarë dhe për të ruajtur logjikën që kanë zgjedhjet tek vet shqiptarët” – tha zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani.
Parimi që partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptarë të krijojnë qeverinë e Maqedonisë doli nga marrëveshja e Majit e vitit 2007 që u arrit me ndërmjetësimin e amerikanëve, pasi në vitin 2006 Gruevski mori në qeveri PDSH-në, e cila kishte humbur zgjedhjet tek shqiptarët. Megjithatë nga kjo marrëveshje me pesë pika është respektuar vetëm parimi që parashikon se kush duhet të formojë qeverinë ndërsa janë anashkaluar përcaktimet tjera që kishin të bëjnë me zgjidhjen e statusit të UCK-së dhe zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe. Analistët thonë se po të ishte respektuar dokumenti politik i vitit 2007 nuk do të kishte nevojë që partitë shqiptare dhjetë vite pas të hartojnë një platformë të përbashkët dhe ende të flasin për këto çështje të pazgjidhura. Madje analistët kanë kontestuar edhe legjitimitetin e BDI-së tek shqiptarët, pasi thonë se opozita shqiptare në zgjedhjet e fundit ka fituar shumë më tepër vota se partia e Ahmetit.
“Nëse flasim për parimin fituesit me fituesin, atëherë problemi më i madh që na paraqitet është se fituesi nga pala maqedonase në këtë rast VMRO-ja, nga viti 2006 deri në vitin 2016, nuk i ka respektu këto platforma të partive politike shqiptare dhe ka shkel mbi këto platforma. Derisa shqiptarët sot krijuan një platformë me disa pika, tregon që deri tash nuk është realizuar asnjë pikë nga këto.Mendoj se parimi fituesi me fituesin është thy, për shkak se nuk janë respektuar të drejtat e shqiptarëve dhe realizimin e platformës së shqiptarëve” – deklaroi analisti, Arsim Sinani.
Ndërmjetësuesja e marrëveshjeje së Majit zv/ndihmësja e sekretarit amerikan të shtetit Rosemari Dikarlo vetëm disa muaj pas firmosje së dokumentit, kishte folur për moszbatimin e këtij dokumenti në praktikë. Ajo, gjatë një konference të përbashkët me ish kryeministrin Gruevski në vitin 2007 kishte thënë se ka ngelë shumë punë për plotësimin e marrëveshjes së Majit.
Por shumë punë mbeten për tu bërë që Maqedonia të fitojë ftesën për anëtarësim në NATO dhe aleatët dëshirojnë të shohim bashkëpunim më të ngushtë mes Qeverisë dhe opozitë si dhe progres në disa aspekte si në implementimin e Marrëveshjes së 29 majit, progres në krijimin e Këshillit Gjyqësor dhe reformave në gjyqësor. Koha është ë shkurtër, por më dëshirën e drejtë politikë kjo mund të arrihet – është shprehur Rosemari Dikarlo, zv/ndihmësja e sekretarit amerikane e shtetit.
Edhe në një kabllogram të ambasadës amerikanë në Shkup nga viti 2007 e që Uikiliks e publikoi në shtator të vitit të kaluar thuhet se edhe përkundër faktit që VMRO dhe BDI pas marrëveshjes së Majit, formuan edhe grupe pune për zbatimin e saj në praktikë, çështja e gjuhës shqipe dhe statusi i luftëtarëve të UÇK-së mbeti pa zgjidhje. Pavarësisht se edhe pas një dekade këto çështje të rëndësishme për shqiptarët nuk janë zgjidhur, BDI tani kërkon të respektohet parimi ‘fituesi me fituesin’ për ti hapur rrugë edhe një koalicioni të ri me Gruevskin./INA