Qeverisja Kurti, ”one man show”! Nënkryetari i LDK, Haziri: Po përdor opozitën për zgjedhjet
Kryeministri Albin Kurti po tenton të përdorë opozitën për të shpëtuar me gatishmërinë për zgjedhje, dhe opozita në Kosovë ndahet mbi mënyrën se si do të shkohet në zgjedhjet e parakohshme.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se mënyra më korrekte është përmes dorëheqjes së Kurtit, ndërsa PDK dhe LDK sipas tij, mbështesin në heshtje një mocion për shpërbërjen e Kuvendit, dhe mocion mosbesimi. Haziri kritikon Kurtin për mungesën e dialogut me opozitën dhe shoqërinë civile gjatë 3 viteve e gjysmë, ndërsa thotë se qeverisja e tij ka qenë, një “one man show”.
”Darka e fundit pa qenë as e para as e dyta, ndodhi mes PDK dhe zotit Kurti mbrëmë. Nuk doli agjenda legjislative për të cilën është ftuar, por dolën zgjedhjet si çështje që është diskutuar dhe tanimë po dihet e shihet se zoti Kurti ka ofruar dy sezone, pranverën ose vjeshtën në këto zgjedhje dhe shpresoj që tani të zbardhet qëndrimi i tij, sepse mënyra si shkojmë në zgjedhje na dallon të gjithëve.
LDK mendon se politikisht korrekte, politikisht e drejtë dhe moralisht duhet zoti Kurti ta pranojë aktin e dorëheqjes. Për 45 ditë republika jonë shkon në zgjedhje, nuk ka zbrazëti ligjore, mekanizmi zgjedhor aktivizohet. PDK si duket ka një marrëveshje të heshtur për mocion për shpërbërjen e Kuvendit dhe AAK-ja për mocionin e mosbesimit. Ajo që i bashkon janë zgjedhjet”,-tha për ”A2cnn”.