Raundi i dytë – Zgjedhjet në Maqedoni, partitë shqiptare garojnë në 13 komuna

Po zhvillohet sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni, ku votuesit do të zgjedhin kryetarët e 35 komunave.

Partitë shqiptarë PDSH, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa janë përfshirë në një garë të drejtpërdrejtë për 13 komuna.

Mediat e shtetit fqinj raportojnë se PDSH dhe Lëvizja Besa e mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët do të përballen në Komunën e Studeniçanit.

Nga ana tjetër, në komunat Zhelinë, Tetovë, Çair, Tearcë, Saraj dhe Likovë do të përballen BDI dhe Lëvizja Besa, e mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët.

Në komuna të tjera të rëndësishme si Gostivar, Strugë, Dibër, Vrapçisht dhe Bogovinë garojnë BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, e mbështetur nga Lëvizja Besa.

Një rezultat pozitiv i partive politike shqiptare në këto zgjedhje lokale do të rriste ndikimin e shqiptarëve në Maqedoni.

Ky është raundi i dytë dhe përfundimtar i zgjedhjeve lokale në shtetin fqinj dhe fitues del ai që merr qoftë edhe një votë më shumë se kundërshtari, ndryshe nga raundi i parë.

SHKARKO APP